Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, ka deklaruar se u takon komunave të vendosin nëse duan ta shfrytëzojnë mundësinë për faljen e një pjese të tatimit në pronë ose jo.
Me anë të një postimi në rrjetin social Facebook, ministri Murati ka deklaruar se një vendim të tillë e kanë marrë tanimë tri komuna.
“Graçanica, Obiliqi, dhe Drenasi janë komunat për të cilat në javën që po lëmë pas është raportuar se kanë miratuar faljen e një pjese të barrës së tatimit në pronë, ashtu siç e mundëson ligji i ndryshuar për tatimin në pronë. Si Qeveri, kemi hartuar ligjin e ndryshuar, dhe ligji është miratuar në Kuvend.Një mundësi të tillë për të lehtësuar barrën e tatimpaguesve e patën kërkuar pothuajse të gjitha komunat. Tani, u takon komunave të vendosin nëse duan ta shfrytëzojnë këtë mundësi ose jo.”, ka shkruar Murati.
Ky i fundit ka inkurajuar komunat e tjera të vendit që një mundësi e tillë të shfrytëzohet para përfundimit të afatit ligjor.
“Deri në fund të muajit gusht 2023, nga tatimi në pronë komunat kanë mbledhur mbi 35 milionë euro, që e tejkalon me rreth 500 mijë euro nivelin e mbledhur për komplet vitin 2022. Marrë parasysh këtë performancë të mirë, i inkurajoj edhe komunat tjera që të shfrytëzojnë mundësinë e faljes së një pjese të tatimit në pronë që të lehtësojnë barrën e qytetarëve, para datës 15 shtator 2023, kur edhe përfundon afati ligjor”, ka shkruar Murati.