Bashkimi Evropian ka shprehur një shqetësim të ri që po ashtu lidhet me rrezikimin e sigurisë.
Dhënia me shtetësisë serbe ndaj rusëve me procedurë të përshpejtuar i ka alarmuar evropianët lidhur me cenimin e sigurisë në zonën Shengen.
Teksa në Kosovë po kërkohet hetim urgjent nga BE-ja.
Njohësi i integrimeve evropiane, Visar Xani thotë se është përgjegjësi e ministrave të brendshëm të BE-së të vendosin kontrollin.
“Patjetër që duhet të ketë një hetim nga BE me qëllim që të arrijë të vendosë një kontroll, dhe mos të ketë pajisje pa kritere, dhe mos të ketë rrezikim të vetë BE-së por edhe ballkanit perëndimor për shkak se shumë qytetarë rusë në mënyrë masive janë duke u pajisur me këtë pasaportë, dhe mekanizmi kryesor i BE-së për të kontrolluar, është përmes ministrave të brendshëm të BE-së”, ka thënë Xani.
Ndërsa analisti politik Arbnor Sadiku vë në pah mundësinë që Serbisë edhe t’i pezullohet mundësia e lëvizjes pa viza.
“Masat e BE-së që do duhej të merreshin ndaj Serbisë do duhej të ishin, ndalimi i hapjes së kapitujve të ri për anëtarësimin e Serbisë në BE, si dhe ndoshta edhe pezullimi i liberalizimit të vizave, sepse përveç Rusisë kemi parë që edhe Serbia vazhdimisht ka qenë mbështetëse e politikave ruse”, ka thënë Sadiku.
Këshilli Evropian muaj më parë paralajmëroi se Serbia do të rrezikonte regjimin pa viza për shkak të procedurave të thjeshtëzuara për marrjen e shtetësisë serbe.
Serbia është ndër vendet e pakta në Evropë që nuk ka vendosur sanksione ndaj Rusisë dhe ka fluturime direkte me Moskën që nga fillimi i pushtimit rus të Ukrainës.