Në orët e hershme të së shtunës një person ka vdekur si pasojë e një vetaksidenti në autostradën “Ibrahim Rugova”. Këtë e kishte konfirmuar për Dukagjinin, zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani.
Ndërkaq, gjatë ditës së diel (sot), policia ka dhënë detaje në lidhje me këtë aksident.
Në raportin 24-orësh thuhet se lëndime ka pësuar vetë drejtuesi, i cili për shkak të lëndimeve serioze është dërguar në QKUK, po ashtu lëndime kanë pësuar edhe tre fëmijë, pasagjerë në veturë, të cilët janë dërguar për tretman mjekësor në spitalin rajonal në Prizren.
“Autostrada Ibrahim Rugova (km-24) 02.09.2023 – 06:10. Drejtuesi mashkull kosovar, derisa ishte duke drejtuar veturën, dyshohet nga pakujdesia dhe mospërshtatja shpejtësisë kushteve të rrugës ka shkaktuar vetaksident, duke u rrokullisur me veturë. Si pasojë, lëndime vdekjeprurëse ka pësuar pasagjerja kosovare, e cila gjatë transportit për në spital ka ndërruar jetë, ndërsa lëndime ka pësuar vetë drejtuesi, i cili për shkak të lëndimeve serioze është dërguar në QKUK, po ashtu lëndime kanë pësuar edhe tre fëmijë pasagjerë në veturë, të cilët janë dërguar për tretman mjekësor në spitalin rajonal në Prizren”, thuhet në raportin e policisë.