Nga janari e deri në korrik të këtij viti, Kosova ka shpenzuar mbi 305 milionë euro në përkrahje financiare për personat e pensionuar dhe për ata që janë në skema të ndryshme sociale.
Në skemat e tilla përfshihen kategori të ndryshme: nga pagesat mujore për veteranët e luftës e deri te pensionet për kompensimin e punonjësve të arsimit për punën e bërë gjatë viteve 1990.
Në raportin e publikuar në fund të gushtit nga Agjencia e Statistikave të Kosovës janë specifikuar 15 kategori të ndryshme.
Kush përfiton nga skemat e mirëqenies sociale në Kosovë?
Më poshtë janë radhitur kategoritë e personave që përfitojnë financiarisht nga skemat e mirëqenies sociale në Kosovë, siç janë ndarë në raportet e Agjencisë së Statistikave të Kosovës.
Në krahasim me vitin e kaluar, numri i këtyre personave që marrin mbështetje financiare nga buxheti i shtetit ka rënë për 19 mijë.
Bie numri i përfituesve nga skemat sociale në Kosovë
Në krahasim me korrikun e vitit të kaluar, mbi 19 mijë persona më pak përfituan nga skemat sociale të Kosovës në korrik të këtij viti.
E, rënia e numrit të përfituesve ka bërë që, gjatë periudhës janar-korrik të këtij viti, të ulen edhe shpenzimet nga buxheti i Kosovës për rreth 31 milionë euro më pak sesa gjatë periudhës së njëjtë të vitit të kaluar.
Ulen shpenzimet për skemat sociale nga buxheti i Kosovës
Kosova ka shpenzuar rreth 31 milionë euro më pak në skemat sociale gjatë periudhës janar-korrik të këtij viti, në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.
Si janë ulur shpenzimet e Kosovës për mirëqenie sociale?
Dallimi më i madh në shumën e shpenzuar për mirëqenie sociale, kur krahasohet periudha janar-korrik e këtij viti me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, vërehet në pagesat për pensionistët.
Sipas të dhënave të ofruara nga Agjencia e Statistikave të Kosovës në raportin “Statistikat e mirëqenies sociale”, më së shumti para janë shpenzuar për pagesat ndaj personave që kanë dalë në pension, ndjekur nga pensionet për veteranët e luftës.
Më së shumti para të shpenzuara për pensionet e moshës
Gjatë periudhës janar-korrik të këtij viti, më së shumti para janë shpenzuar për pensionet e qytetarëve të Kosovës që kanë mbushur moshën 65 vjeç, ndjekur nga pensionet e veteranëve të luftës.
Rreth 19 milionë euro nga paratë e shpenzuara për mirëqenie sociale këtë vit kanë shkuar për pagesat për familjet, të cilat jetojnë në varfëri.
Numri më i madh i këtyre pagesave – që maksimumi mund të arrijnë deri në 250 euro për familje dhe shuma varet nga numri i anëtarëve në familje – janë proceduar në Komunën e Mitrovicës së Jugut.
Në këtë komunë, rreth 8.880 persona morën ndihmë gjatë muajit korrik – shifër kjo dukshëm më e lartë se në cilëndo komunë tjetër. Pas Mitrovicës së Jugut radhitet Vushtrria me gjithsej 5.670 përfitues të ndihmave sociale.
Ku ka më së shumti persona që marrin ndihmë sociale?
Gjatë muajit korrik, 8.761 persona në Mitrovicën e Jugut përfituan nga skemat e ndihmës sociale. Në asnjë komunë nuk pati numër më të madh të përfituesve.
Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, shkalla e papunësisë në Kosovë në tremujorin e fundit të vitit 2022 ishte 11.8 për qind.
Gjatë këtij viti, Qeveria e Kosovës ka shpërndarë edhe ndihma të tjera përmes subvencionimeve të hapura në platformën digjitale E-Kosova, ku qytetarët kanë pasur mundësinë të aplikojnë për pajisje elektrike, izolim të shtëpisë, etj./REL