Me ftesë të presidentit të Shqipërisë, Bajram Begaj, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka udhëtuar për vizitë shtetërore dyditore në Shqipëri, gjatë së cilës, do të pritet me nderime të larta shtetërore nga homologu i saj, presidenti Begaj.
Përveç takimit dypalësh, të dy presidentët do të takohen edhe me delegacione.
Po ashtu, Osmani pritet të takohet me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, në Tiranë.
Ajo do të pritet me një ceremoni shtetërore në ambientet e Presidencës së Shqipërisë, derisa lidhur me këtë vizitë është publikuar agjenda e plotë nga Zyra e Presidencës.
“Gjatë kësaj vizite, presidentja Osmani do të takohet edhe me kryeministrin e Shqipërisë, z. Edi Rama. Pas takimit, presidentja me delegacionin e saj do të priten në drekë zyrtare nga kryeministri Rama. Presidentja po ashtu do të pritet në takim edhe nga kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Znj.Lindita Nikolla”, thuhet në komunikatën e Zyrës së Presidencës.
Në orën 10:00 do të zhvillohet ceremonia Zyrtare e Mirëseardhjes në Institucionin e presidentit të Republikës së Shqipërisë e më pas vijohet me takimin mes dy presidentëve dhe takimin e zgjeruar mes delegacioneve.
Pas këtyre takimeve nga ora 11:40 – 12:05 , dy presidentët do të mbajnë konferencë për medie.
“Në kuadër të kësaj vizite shtetërore, presidentja Osmani në një ceremoni do t’ia dorëzojë dekretin e nënshtetësisë së Kosovës, shkrimtarit me famë botërore, Ismail Kadare”, thuhet në komunikatën për media.
Përgjatë qëndrimit në Shqipëri, presidentja Osmani ka parashikuar edhe takime të tjera të nivelit të lartë.
Sipas njoftimit, agjenda e presidentes do të vijojë në qytetin e Beratit, ku pas takimit me kryetarin e Bashkisë, Ervin Demo, presidentes do t’ii dhurohet titulli më i lartë i qytetit “Patroni i Kalasë” e më pas do të vizitohen Kisha e Shën Mërisë dhe Muzeu Onufri.
Ndërkaq, në Durrës, presidentja Osmani do ta ketë një takim me kryebashkiaken e Durrësit, Emiriana Sako, do ta vizitojë Torrën Veneciane dhe Zyrën Doganore të Kosovës në Portin e Durrësit.
Kjo është vizita e parë e presidentes së Kosovës që nga koha kur kreu i shtetit Bajram Begaj mori detyrën.