Gjykimi ndaj Thaçit dhe të tjerëve, kalohet në seancë private për të identifikuar disa persona

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, seanca ndaj ish-krerëve të UÇK-së ka kaluar në seancë private për të bërë identifikimin e një liste me emra, pasi dëshmitari është pyetur për personat e njohur në fshatin e tij dhe lidhjet me Ramush Krasniqin, me këtë pyetje është kërkuar kalimi në sesion privat për të mbrojtur identitetin e dëshmitarit

Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi.

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, seanca ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit ka kaluar në seancë private për të bërë identifikimin e një liste me emra.

Kjo është bërë gjatë marrjes në pyetje të dëshmitarit të 20-të (me kodin 04368) nga mbrojtja e Thaçit, avokatit Gregory Kehoe.

Paraprakisht, dëshmitari është pyetur nëse i njeh personat e fshatit të tij, të cilët janë kyçur në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) dhe ai është përgjigjur ‘‘personat e fshatit tim i njoh’’.

Më tej, ai është pyetur nëse një person me emrin Ramush Krasniqi kishte qenë shok klase me njërin nga vëllezërit e tij dhe se këtë dëshmitari e pohoi.

Por që pas kësaj, nga ana e Zyrës së Prokurorit të Specializuar është kërkuar të kalohet në seancë private me arsyetimin se mund të dalin emra dhe ekziston frika se mund të identifikohet dëshmitari i mbrojtur.

Për këto arsye, seanca në këto momente po vazhdon në sesion privat.

Dëshmitari 20-të thotë se UÇK-ja ia kishte marr të afërmin e tij dhe nuk e kanë parë më asnjëherë

Dëshmitari i 20-të (me kodin 04368), në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, po dëshmon për të afërmin e tij që nuk e ka parë më asnjëherë, sipas tij, pas marrjen nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK) në 1998-ën.

Fillimisht është lexuar një përmbledhje e dëshmisë së tij nga ana e Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS-së).

Sipas kësaj përmbledhjeje, më 1998, disa anëtarë të armatosur të UÇK-së kanë shkuar në shtëpinë e dëshmitarit 04368 dhe familjes së tij dhe kanë marr të afërm të tij për të marrë në pyetje.

Thuhet se 04368 dhe të afërm të tjerë kanë shkuar në fshatin lokal të UÇK-së dhe kanë kërkuar informata nga anëtarë të UÇK-së për të afërmin e tyre, por ata nuk e kanë parë më të afërmin e vet dhe eshtrat e të afërmit numër 1 nuk janë gjetur asnjëherë.

Paraprakisht, dëshmitari pohoi se ka dhënë dëshmi para institucioneve në Kosovë në vitin 2000 si dhe para ZPS-së në shtator 2019.

I njëjti pohoi se në seancën përgatitore me ZPS-së ka bërë disa sqarime, për të cilat, janë reflektuar në mënyrë të saktë dhe të qartë në shënimin zyrtar.

Andaj janë propozuar dhe më pas janë pranuar si prova deklaratat e mëparshme dhe provat materiale shoqëruese.

Kur u pyet dëshmitari se si i afërmi numër 1 kishte treguar mbështetje për UÇK-në, si i kishte trajtuar ai njerëzit në fshatin e tij, duke qenë se është njohur si person me ndikim dhe të jepte shembuj ilustrativ për këtë, përgjigjja e dëshmitarit ka qenë me përmbajtje të redaktuar.

Ndërkaq, ka thënë se ‘‘jo s’kemi marrë, kurrë s’kemi marrë informatë prej UÇK-së dhe nuk e dimë hala, hala se kemi kuptuar’’, kur u pyet se ka kishin marrë ndonjë përgjigje zyrtare se pse UÇK-ja kishte marrë të afërmin numër 1.

Me përmbajtje të redaktuar ka qenë edhe përgjigja e tij kur është pyetur për bisedën me një ushtar të UÇK-së, i cili i kishte thënë se ‘‘i afërmi juaj numër 1 ishte i pastër’’.

Dëshmitari sërish pohoi se nuk e kanë parë dhe nuk kanë gjetur eshtrat e të afërmit të tij më asnjëherë, qëkur ishte marrë më 1998 nga UÇK-ja.

Tutje, me të filluar pyetje nga mbrojtësi i viktimave Simon Laws, përgjigjet po ashtu kanë qenë me përmbajtje të redaktuar.

Seanca po vazhdon me pyetjet nga ana e mbrojtjes së Thaçit, avokatit Gregory Kehoe. /Betimi për Drejtësi

Shija e redaktorit

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” Promovon në Tiranë serinë e Lektyrave Shkollore

Në ditën e katërt të edicionit të 27-të Panairit të Librit në Tiranë, Shtëpia Botuese “Dukagjini” promovoi serinë e lektyrave shkollore, e cila këtë...

Të fundit nga rubrika