Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, ka zhvilluar një takim me homologen e tij nga Kosova, Vjosa Osmani, një vit pas vizitës së tij të parë në Kosovë.
Gjatë bisedave të tyre, siç ka njoftuar ai në konferencë për media, kanë diskutuar çështje të rëndësisë kombëtare dhe forcimin e partneritetit strategjik midis dy shteteve.
Presidenti Begaj ka theksuar se “askush nuk ka pse çuditet që Kosova është prioritet i Shqipërisë”.
“Sot një vit pas vizitës sime të parë në Kosovë, kisha nderin ta prisja Vjosa Osmanin gjatë bisedave tona sot, vëmendja ishte te çështjet me rëndësi kombëtare. Forcimi i partneritetit strategjik të dy shteteve. Theksova se askush nuk ka pse çuditet që Kosova është prioritet i Shqipërisë. Folëm edhe për bashkëpunimin ekonomik, kuadrin ligjor, turizmin e në kuadër të bashkëpunimit rajonal, theksova se këto dy shtete duhet të jenë faktorë strategjikë në Ballkan”, ka deklaruar ai, raporton RTV Dukagjini.
Siç ka deklaruar Begaj, gjatë takimit kanë diskutuar për bashkëpunimin ekonomik, kuadrin ligjor dhe turizmin në kontekstin e bashkëpunimit rajonal, duke theksuar nevojën që Shqipëria dhe Kosova të jenë faktorë strategjikë në Ballkan.
Presidenti i Shqipërisë gjithashtu ka bërë të ditur se me Osmanin ka diskutuar edhe për situatën në veriun e Kosovës dhe ndërhyrjet hibride të faktorëve të tretë.
Ai ka theksuar se Kosova duhet të ketë bashkëpunim të ngushtë me partnerët ndërkombëtarë dhe ka vlerësuar hapat e fundit të ndërmarrë nga Kosova në këtë drejtim.
“Folëm edhe për veriun e Kosovës. Ndërhyrjet hibride ndaj faktorë të tretë me bën t’u them që Kosova duhet ta këtë bashkëpunim më të mirë me partnerët ndërkombëtarë. Prandaj, edhe vlerësova hapat e fundit të marra nga Kosova”, ka deklaruar Begaj.
Me ftesë të Begajt, presidentja Osmani ka udhëtuar për vizitë shtetërore dyditore në Shqipëri.
Përgjatë qëndrimit në Shqipëri, presidentja Osmani ka parashikuar edhe takime të tjera të nivelit të lartë.
Sipas njoftimit, agjenda e presidentes do të vijojë në qytetin e Beratit, ku pas takimit me kryetarin e Bashkisë, Ervin Demo, presidentes do t’ii dhurohet titulli më i lartë i qytetit “Patroni i Kalasë” e më pas do të vizitohen Kisha e Shën Mërisë dhe Muzeu Onufri.
Ndërkaq, në Durrës, presidentja Osmani do ta ketë një takim me kryebashkiaken e Durrësit, Emiriana Sako, do ta vizitojë Torrën Veneciane dhe Zyrën Doganore të Kosovës në Portin e Durrësit.
Kjo është vizita e parë e presidentes së Kosovës që nga koha kur kreu i shtetit Bajram Begaj mori detyrën.