Për vendim e Gjykatës Kushtetuese, e cila ka vendosur masë të përkohshme për nenin 5 të Ligjit për tatimin në pronë, ku parashihet falja e 100 eurove e tatim për qytetarët, ka ardhur reagimi i parë nga partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje.
E i pari prej VV-së ishte deputeti, Dimal Basha, sipas të cilit, masa e Gjykatës është “absurde dhe e padrejtë”.
Basha ka treguar se “çka ofron ligji shkurt”.
“Huqje e Gjykatës Kushtetuese dhe hipokrizia e komunave!
Ka pasur shumë propagandë se Qeveria po i detyron komunat me fal tatim në pronë, por ja që ligji nuk e thotë këtë! Ligji shkurt ofron që:
- Çdo tatimpagues kualifikohet për falje!
- Shuma e faljes lejohet deri në 100€ maksimum, dhe
- Vendimi për këtë falje bëhet nga kuvendet komunale!
Domethënë ligji vetëm e ofron si mundësi që Kuvendet Komunale me ia mundësu qytetarëve faljen e tatimit në pronë, por në asnjë moment NUK e cenon pavarësinë e pushtetit lokal! Prandaj, masa është absurde dhe çfarëdo vonese e këtij ligji është e padrejtë!”, ka shkruar Basha në Facebook.
“Tjetra, pak kontekst!
Jeni dëshmitarë që opozita bëri zhurmë se vlerësimi real i pronave ishte barrë e madhe tatimi për qytetarët! Qeveria e mori parasysh dhe me ligj ofroi mundësinë me ua fal! Mirëpo, kur ndodhi kjo, komunat u ankuan se falja për qytetarë është humbje për komuna! Si humb komuna nëse përfiton qytetari? Koncentrohuni!!! Së paku mos u fshihni pas Gjykatës, deklarohuni me votë në kuvendet komunale, a po doni qytetarët me përfitu apo po doni m’i mbajt paret për vete?”, ka shtuar Basha.
Gjatë ditës së hënë, Gjykata Kushtetuese bëri me dije se ka vendosur masë të përkohshme për nenin 5 të Ligjit për tatimin në pronë, ku parashihet falja e 100 eurove e tatim për qytetarët.
Dorëzimin e kërkesës për vlerësimin e ligjshmërisë së këtij ligji e bënë drejtori i AKK-së, Sazan Ibrahimi dhe kryetari i Prizrenit, Shaqir Totaj, më 24 gusht të këtij viti.
“Gjykata, njëzëri, ka vendosur që (i) kërkesa për vendosjen e masës së përkohshme, lidhur me aktin e lartcekur, të miratohet në kohëzgjatje deri më 30 nëntor 2023; dhe për pasojë (ii) të pezullohet menjëherë zbatimi i nenit 5 të Ligjit Nr.08/L-224 për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit Nr. 06/L-005 për Tatimin në Pronën e Paluajtshme dhe zbatimi i vendimeve të nxjerra në bazë të këtij neni deri në afatin e lartcekur”, thuhet në vendim e Gjykatës.
Kushtetuesja ka theksuar se komuna është e autorizuar të kontestojë kushtetutshmërinë e ligjeve të Qeverisë.
“Vendimi i Gjykatës fillimisht sqaron që bazuar në paragrafin 4 të nenit 113 të Kushtetutës, komuna është e autorizuar të kontestojë kushtetutshmërinë e ligjeve ose të akteve të Qeverisë, të cilat cenojnë përgjegjësitë komunale ose zvogëlojnë të hyrat e komunës, në rast se komuna përkatëse është prekur nga ai ligj ose akt. Bazuar në këtë dispozitë, parashtruesi i kërkesës kërkon vlerësimin e kushtetutshmërisë së nenit 5 të Ligjit Nr.08/L-224 për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit Nr. 06/L-005 për Tatimin në Pronën e Paluajtshme. Neni i kontestuar përcakton që (i) çdo tatimpagues që është i detyruar të paguajë tatimin në pronën e paluajtshme për vitin tatimor 2023, kualifikohet për faljen e tatimit; (ii) shuma e faljes së tatimit në pronë për të gjithë tatimpaguesit lejohet deri në lartësinë e faturës së tatimit në pronë për vitin 2023, por jo më shumë se njëqind (100) euro; (iii) vendimi për faljen e tatimit në pronë merret nga kuvendi komunal i çdo komune më së largu 30 ditë nga hyrja në fuqi e këtij ligji; (iv) në rast që tatimpaguesi ka paguar faturën e tatimit në pronë për vitin 2023, shuma e falur i llogaritet si paradhënie për vitet pasuese; (v) falja tatimore zbatohet vetëm për vitin tatimor 2023; dhe (vi) zbatimi i kësaj dispozite mbetet në përgjegjësinë e çdo komune përgjegjëse për administrimin e procesit të tatimit në pronë për pronat e paluajtshme që ndodhen brenda territorit të asaj komune dhe Ministria përgjegjëse për financa nxjerr vendime që mund të jenë të nevojshme për zbatimin e kësaj dispozite”, thuhet në vendim.