Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri, në seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit, të thirrur nga partitë opozitare, ka theksuar se ata janë bashkuar para fillimit të sesionit të rregullt të Kuvendit, me qëllim “kërkimin e sqarimeve dhe një ballafaqim të së vërtetës në lidhje me punën e Qeverisë”.
Tahiri ka theksuar se ata besojnë se ka ndodhur një padrejtësi e madhe ndaj qytetarëve të Kosovës, në lidhje me detyrimin ligjor të Qeverisë për t’i siguruar tekstet shkollore.
“Para se të fillojë sesioni i rregullt i këtij Kuvendi si opozitë jemi bashkuar për me kërku sqarim njëkohësisht për me kërku një ballafaqim të së vërtetës mes neve që si thirrës të kësaj seance që besojmë se është bërë një padrejtësi e madhe te një numër i madh i qytetarëve të Kosovës në raport me obligimin ligjor që kjo qeveri ka me i siguri tekstet shkollore, me Qeverisë që sot na i shpërfaqi dy tri elemente që duhet t’i dinë qytetarët e Kosovës. E para është mungesa e guximit për t’u ballafaquar me të vërtetën, e vërteta është se kudo që kjo qeveri dhe ky kryeministër ka prek aty ka qenë dështimi”, ka deklaruar ai.
Ai ka theksuar se Qeveria e sotme nuk është e guximshme për të përballuar të vërtetën dhe ka akuzuar Qeverinë për dështime në shumë fusha, duke përfshirë pagën minimale, ekonominë, infrastrukturën dhe marrëdhëniet me partnerët ndërkombëtarë.
Në lidhje me çështjen e teksteve shkollore, Tahiri ka bërë pyetje se pse ato nuk janë në shkolla, por janë në librari.
Ai ka thënë se çmimet e teksteve janë të larta dhe ka karakterizuar vendimin për të vendosur tekstet në librari si “skandaloz dhe të dëmshëm për qytetarët e Kosovës.”
“Veç mendoni pak prekni kokën prej temave më të thjeshta që lidhen me ligje bazike si ato të pagës minimale, ekonomisë, infrastrukturës, raportet me partnerët ndërkombëtarë, kudo që kanë prek krizë kanë krijuar, prej një krize i kanë krijuar 10 kriza. Ne nuk kemi dashur asgjë më shumë e as më pak, vetëm me u ballafaqu me i bërë disa pyetje”, ka thënë Tahiri.
“Nëse ka qenë obligim ligjor tekstet me i dërgu në shkolla, pse nuk janë në shkolla, por në librari? Ju po thoni që tekstet për një klasë, po e marr shembull klasën e parë të shkollës fillore, a bën me jua tregu faturën e t’u themi që aty është 73 euro për klasën e parë e pastaj për fletore nuk janë hiq, ky vendim është skandaloz të dëmshëm për qytetarët e Kosovës”, është shprehur tutje ai.
Ndërsa, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, në seancën e jashtëzakonshme të thirrur për të diskutuar mbi çështjen e teksteve shkollore, ka fajësuar qeverinë për dështim në furnizim me libra për të gjithë nxënësit.
I pari i PDK-së ka thënë se kjo Qeveri për herë të parë pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës i ka lënë nxënësit pa libra, teksa e ka quajtur këtë situatë të turpshme dhe shkelje të ligjit.