Osmani: S’duhet të lejojmë që plani i Putinit të zbatohet nga Vuçiqi

"Duke zbatuar në përpikëri planin që [presidenti rus, Vladimir] Putini kishte zbatuar në vitin në vitin 2014 kundër Ukrainës, [presidenti serb, Aleksandar] Vuçiqi dhe Serbia po synojnë ta destabilizojnë të gjithë Ballkanin Perëndimor", ka thënë presidentja Osmani gjatë vizitës në Shqipëri

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, akuzoi Serbinë se po synon të zbatojë një plan destabilizues në Ballkanin Perëndimor, të ngjashëm me atë, siç tha ajo, që e realizoi Rusia në Ukrainë më 2014.

Osmani që qëndroi në vizitë zyrtare në Shqipëri, tha se të gjitha shtetet demokratike në rajon nuk duhet të lejojnë zbatimin e këtij plani.

Ajo iu referua nisjes së konfliktit mes separatistëve të mbështetur nga Rusia me forcat ukrainase në rajonin lindor të Donbasit dhe aneksimit të Gadishullit të Krimesë nga Moska.

“Nuk është situata në veri ajo që ka acaruar dialogun Kosovë-Serbi. Është Serbia ajo që gjithnjë acaron situatën në rajonin tonë nëpërmjet sulmeve të njëpasnjëshme ndaj Kosovës. Nuk ka javë që kalon që dikush nga Serbia nuk gjuan me armë policët e Kosovës që janë në territorin e Kosovës. Duke zbatuar në përpikëri planin që [presidenti rus, Vladimir] Putini kishte zbatuar në vitin në vitin 2014 kundër Ukrainës, [presidenti serb, Aleksandar] Vuçiqi dhe Serbia po synojnë ta destabilizojnë të gjithë Ballkanin Perëndimor, e nëpërmjet destabilizimit të rajonit tonë t’i atakojnë vlerat dhe sistemin e vlerave mbi të cilët qëndrojnë BE-ja dhe NATO-ja”, tha Osmani, duke iu referuar tensioneve në veri të Kosovës, shkruan REL.

Tensionet në veri të Kosovës – zonë e banuar me shumicë serbe – u rritën në fund të majit, pasi banorët lokalë kundërshtuan kryetarët e rinj shqiptarë, që u zgjodhën në prill.

Votimet e prillit u bojkotuan nga popullata dhe partitë serbe në Kosovë.

“Prandaj, sa i përket asaj që ngjan në veri, ta keni parasysh që Serbia vazhdimisht fut armatim në Kosovë ilegalisht, Serbia vazhdimisht trajnon pjesë të strukturave ilegale kriminale në ushtrinë serbe, në mënyrë që ata pastaj të shkaktojnë probleme nëpërmjet armëve që i sjellin ilegalisht në veri të Kosovës. [Serbia] vazhdimisht i terrorizon, frikëson e sulmon qytetarët serbë që jetojnë në veri. Vazhdimisht fut grupe transnacionale të krimit të organizuar në veri. Kjo është një sfidë për të gjithë rajonin tonë, që të gjitha shtetet demokratike duhet ta trajtojmë së bashku. Nuk duhet të lejojmë që plani i Putinit të zbatohet nga Vuçiqi në Ballkanin Perëndimor”, tha Osmani, duke mos ofruar dëshmi për të mbështetur këto pretendime.

Në korrik, Kosova dhe Bashkimi Evropian u pajtuan për hapat që duhet të ndërmerren për shtenisionimin e situatës, përfshirë edhe reduktimin e pranisë policore në komunat veriore dhe mbajtjen e zgjedhjeve të reja.

Kur nisën tensionet në veri, komuniteti ndërkombëtar në krye me Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Evropian kërkuan nga Kosova dhe Serbia që të ulin tensionet dhe t’i kthehen dialogut për normalizim të raporteve, që ndërmjetësohet nga blloku evropian.

BE-ja më pas vendosi disa masa ndëshkuese ndaj Kosovës për shkak të mospërmbushjes së kërkesave, ndërkaq SHBA-ja njoftoi se Prishtina nuk do të merrte pjesë në stërvitjet ushtarake të NATO-s, Defender Europe 23.

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, porositi që Kosova dhe Serbia të punojnë për zbatimin e Marrëveshjes drejt normalizimit të raporteve, që u arrit në shkurt, pasi sipas tij, kjo marrëveshje eventualisht do të çojë në njohje reciproke.

Shija e redaktorit

Gjeneral Jashari takohet me Shefen e Mbrojtjes së Forcave të...

Gjatë vizitës zyrtare në Kanada, Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Gjenerallejtënant Bashkim Jashari, zhvilloi një takim bilateral me Shefen e Mbrojtjes së...

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Të fundit nga rubrika