Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg tha të mërkurën se Finlanda dhe Suedia kanë aplikuar zyrtarisht për t’u bashkuar me aleancën më të madhe ushtarake në botë NATO.
“Unë mirëpres ngrohtësisht kërkesat e Finlandës dhe Suedisë për t’u anëtarësuar në NATO. Ju jeni partnerët tanë më të ngushtë”, tha Stoltenberg, pas marrjes së letrave të aplikimit nga ambasadorët e dy vendeve nordike. “Kjo është një ditë e mirë në një moment kritik për sigurinë tonë”, raporton AP News, transmeton PortaliD.
Aplikacioni tani duhet të peshohet nga 30 vendet anëtare. Ky proces pritet të zgjasë rreth dy javë, megjithëse presidenti turk, Rexhep Tajip Erdogan ka shprehur rezerva për anëtarësimin e Finlandës dhe Suedisë.
Nëse kapërcehen kundërshtimet e tij dhe bisedimet e pranimit shkojnë ashtu siç pritej, të dy shtetet mund të bëhen anëtare brenda pak muajsh. Procesi zakonisht zgjat tetë deri në 12 muaj, por NATO dëshiron të lëvizë shpejt, duke pasur parasysh kërcënimin nga Rusia që qëndron mbi kokat e vendeve nordike.
Stoltenberg tha se aleatët e NATO-s ”janë të vendosur të punojnë për të gjitha çështjet dhe të arrijnë në përfundime të shpejta”.
”Të gjithë aleatët bien dakord për rëndësinë e zgjerimit të NATO-s. Ne të gjithë jemi dakord që duhet të qëndrojmë së bashku dhe të gjithë jemi dakord se ky është një moment historik që duhet ta shfrytëzojmë”, tha sekretari, në selinë e NATO-s në Bruksel.
Finlanda dhe Suedia bashkëpunojnë ngushtë me NATO-n. Ata kanë demokraci funksionale, forca të armatosura të mirëfinancuara dhe kontribuojnë në operacionet ushtarake të aleancës dhe policimin ajror. Çdo pengesë me të cilën përballen do të jetë thjesht e një natyre teknike, ose ndoshta politike.
Procesi i anëtarësimit në NATO nuk është zyrtarizuar dhe hapat mund të ndryshojnë. Por së pari kërkesat e tyre për t’u anëtarësuar, do të shqyrtohen në një seancë të Këshillit të Atlantikut të Veriut (NATO) të 30 vendeve anëtare, ndoshta në nivel ambasadori.
NATO do të vendosë nëse do të shkojë drejt anëtarësimit dhe çfarë hapash duhet të ndërmerren për ta arritur atë. Kjo më së shumti varet nga sa mirë janë të harmonizuara vendet kandidate me standardet politike, ushtarake dhe ligjore të NATO-s, dhe nëse ato kontribuojnë në sigurinë në zonën e Atlantikut të Veriut.
Finlanda dhe Suedia pritet të vendosin për anëtarësim apo jo në NATO