Analisti Dardan Gashi ka deklaruar se të gjitha strukturat e partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), janë në dijeni që Udhëzimi Administraiv nuk ka baza ligjore.
Në “Debat Plus” të RTV Dukagjini, Dardan Gashi ka vlerësuar se kjo është një formë e Qeverisë Kurti për t’i paraprirë dërgimit të udhëzimit të lartëcekur nga opozita. Udhëzimin Administrativ, ai e cilësoi “komplet ilegal”.
“Çka e ka problem ky udhëzim administrativ, është komplet illegal. Sepse është i bazuar në ligjin për qeverisje loakle, mirëpo ai paragraf kur flet për këtë procedurë, lidhet me ligjin për referendum. Ai ligj nuk ekziston. Si bën qeveria ligje në ligje joekzistuese?…Aktet administrative ndërtohen në bazë të një ligji ekzistues. E di që krejt strukturat e Kurtit e dinë që ky udhëzim është illegal, se udhëzimi administrativ nuk ka bazë juridike. Ata bëjnë këtë që dikush nga opozita ta dërgojë në Kushtetuese dhe ta rrëzojë, gjë që do ta bëjnë, sepse nuk ka bazë ekzistuese”, ka deklaruar ai. Tutje, Gashi theksoi se kjo paraqet një lojë të Qeverisë Kurti.
Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal ka përfunduar hartimin e Udhëzimit Administrativ për iniciativën e qytetarëve për largimin e kryetarit të komunës nga funksioni.
Këtë e ka bërë të ditur ministri i këtij dikasteri, Elbert Krasniqi.
Përmes një postimi në Facebook, Krasniqi ka thënë se Udhëzimi Administrativ ka për qëllim përcaktimin e procedurës së inicimit, të organizimit dhe të dorëzimit të iniciativës së qytetarëve për largimin e kryetarit të komunës nga funksioni, në pajtim me Ligjin për Vetëqeverisjen Lokale.
“Pjesë e diskutimeve, punës dhe konsultimeve profesionale e edhe e grupit punues kanë qenë institucionet vendore dhe ato ndërkombëtare. Për këtë çështje marrë parasysh që është hera e parë që trajtohet me rregullim normativ ka pasur shumë komente dhe sugjerime. Të gjitha janë trajtuar dhe pjesa më përmbajtësore janë adresuar”, ka shkruar Krasniqi.
Tutje, ai ka thënë se ky udhëzim jep mundësinë e zbatimit praktik të një të drejte të garantuar nga ligji për vetëqeverisje lokale, duke theksuar se “E drejtë kjo që siguron ushtrimin e vullnetit qytetar në raport me Kryetarin e Komunës, të cilin e zgjedhin drejtpërdrejtë vetë qytetarët”.
Një dokument i tillë vjen në kohën kur Bashkimi Evropian është duke i kërkuar me ngulm Kosovës që të shpallë zgjedhje të reja në katër komunat me shumicë serbe në veri: Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq.
Këto komuna aktualisht udhëhiqen nga kryetarë shqiptarë.
Përfundon hartimi i Udhëzimit Administrativ për peticionin për mbajtjen e zgjedhjeve