Në 24-vjetorin e themelimit të Policisë së Kosovës, kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se shteti duhet ta ketë prioritet ofrimin e kushteve të favorshme, në raport me kompleksitetin e detyrave që kryejnë.
Me anë të një postimi në Facebook, kreu i AAK-së thotë se Policia e Kosovës është një prej sukseseve më të mëdha të shtetit tonë, institucion ky që konsiderohet model edhe për vendet e rajonit.
“Ata vazhdojnë të jenë shembull i integritetit dhe profesionalizmit në shërbim të komunitetit. Policia jonë, me profesionalizëm e devotshmëri po e kryen detyrën e shenjtë të ruajtjes së rendit dhe ligjit. Andaj, shteti duhet ta ketë prioritet ofrimin e kushteve të favorshme, në raport me kompleksitetin e detyrave që kryejnë. Mirënjohës të gjithë pjesëtarëve të Policisë, për shërbimin ndaj Atdheut. Kujtojmë me nder e respekt ata që ranë në krye të detyrës”, shkruan ai.
Policia e Kosovës (PK) ka filluar punën më 6 shtator të vitit 1999, ndërsa tani po shënon 24-vjetorin e themelimit të saj.
Misioni i Organizatës për Bashkëpunim dhe Siguri në Evropë (OSBE), ishte përkujdesur që në Kosovë, në pajtim me rezolutën e Kombeve të Bashkuara 1244, ta hapë Shkollën e Policisë, ku edhe ka filluar trajnimin e kadetëve të parë.
Gjenerata e parë e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës kishte, gjithsejtë, 176 pjesëtarë, të cilët pas trajnimit i shërbyen vendit si policët e parë në territorin e Kosovës.
Ata zhvillonin patrullime të përbashkëta me policinë e Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK), të cilëve edhe u përgjigjeshin, dhe me ushtarët e NATO-s në Kosovë.