Në ditën kur pritet që të shpallet aktgjykimi për dy drejtuesit e Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK), Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj, gruaja e Haradinajt, ka thënë shkurt për RTV Dukagjini se nuk pret drejtësi nga Gjykata Speciale. Sipas saj ai po mbahet padrejtësisht në qendrën e paraburgimit në Hagë.
“Nuk presim drejtësi nga kjo Gjykatë. Që prej fillimit Nasim Haradinaj po mbahet atje padrejtësisht. Të shohim çfarë do të ndodhë, por nuk presim drejtësi”, ka thënë ajo.
Ndërkaq, familjarë, shokë e bashkëluftëtarë të Hysni Gucatit po qëndrojnë te shtëpia e tij të cilët kanë thënë se po presin që ish-kryetari i OVL UÇK-së dhe ish-luftëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të lirohet të mërkurën.
Në aktakuzën që rëndon mbi ta thuhet se midis 7 dhe 25 shtatorit 2020, në tri konferenca për shtyp dhe transmetime të tjera televizive, si dhe përmes shpërndarjes së mëtejshme, Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj zbuluan, pa autorizim, informacione të mbrojtura nga Ligji për Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar, përfshirë të dhëna personale të disa dëshmitarëve (të mundshëm).