Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka dhënë detaje pas takimit dy ditor të kësaj partie, ku u diskutua për programin politik “Rruga e Re”.
Përmes një shkrimi në rrjetin social Facebook, Abdixhiku ka deklaruar se “Rruga e re” shtron vizionin e kësaj partie për vendin.
Tutje, kreu i LDK-së ka bërë të ditur se ky program i ka mbi 30 kapituj ku ofrohen alternativa për secilin sektor.
“Mbi të gjitha, ky program me mbi 30 kapituj, do të ofrojë alternativat tona për zhvillim në çdo sektor. Si program zhvillimor, puro zhvillimor, i mbështetur në ideologjinë e qendrës së djathtë, ‘Rruga e Re’ do të ofrojë jo vetëm projekte e nisma të mëdha, por dhe ide të domosdoshme të formësimit tonë shtetëror në dekadën në vijim. Për këtë jemi entuziastë të gjithë”, ka shkruar Abdixhiku.
Abdixhiku ka falënderuar të gjithë akterët jashtëpartiakë të cilët kanë “formësuar” këtë rrugëtim.
Ai po ashtu ka paralajmëruar një konventë të madhe programore, ku do të bëhet publik ky program.
“Në kohën e publikimit të programit – në një Konventë të madhe programore – dhe pas saj, jemi të interesuar të marrim dhe komente e sugjerime tjera. Ato veçse na pasurojnë, edhe në raste të mospajtimit përmbajtësor” ka theksuar Abdixhiku.
‘Rruga e Re’ është zgjidhja.Ju ftojë ta përcjellni shpalosjen tonë në çdo hap”, ka përfunduar Abdixhiku.