Komisioni ad-hoc i formuar nga ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, të mërkurën ka tentuar që të zbatojë vendimin për marrjen e lëndëve të përmbaruesit privat, Ilir Mulhaxha, tashmë të shkarkuar, dhe bartjen e tyre te përmbaruesit e tjerë në territorin e Prishtinës.
Për zbatimin e këtij vendimi, Komisioni i Ministrisë ka shkuar bashkë me Policinë e Kosovës.
Por, megjithëkëtë, transferimi i lëndëve nuk ka ndodhur, kurse Mulhaxha vendimin e ka quajtur të paligjshëm.
“Këta tash po i shihni edhe forca speciale na kanë ardhur edhe me hetues policorë, po insistojnë se kinse na po e pengojmë kryerjen e detyrave zyrtare, ata janë ardhutr veç me një qëllim të keq”, ka thënë Mulhaxha.
Ai ka shtuar se kanë kundërshtuar ligjshmërinë e këtij akti administrativ, pasi sipas tij, s’ka mbështetje ligjore duke paralajmëruar padi të re me masë të përkohshme ndaj këtij vendimi.
Eros Gashi nga Ministria e Drejtësisë ka thënë se përmbaruesi i shkarkuar në vazhdimësi ka gjetur arsyetime për zvarritjen e transferimit të lëndëve dhe se prezenca e Policisë ka qenë e domosdoshme që Komisoni të ketë qasje në zyrat e tij dhe të sigurohet prezenca e tij.
Gashi ka thënë se Mulhaxha ka gjetur arsyetime se do të udhëtojë jashtë vendit për shkaqe shëndetësore, por se është zotuar para Komisionit se më 18 shtator do ta mundësojë transferimin e lëndëve.
Por, kështu nuk thotë Mulhaxha i cili thotë se do të presë drejtësinë të marrë një vendim dhe se tendencat janë për ta shantazhuar dhe frikësuar atë.
“Unë tash jam në pritje të drejtësisë, sepse këta nuk e dinë as qysh zbatohet ky vendim, këta mas pari s’munden me pas qasje në llogarinë time, s’kanë qysh i transferojnë mjetet e debitorit që janë dëmtuar në këtë proces”, ka thënë ai, shkruan Betimi për Drejtësi.
Ai tha se në llogarinë e tij janë grumbulluar 86 mijë euro dhe se Ministria nuk ka rregullore dhe mekanizma për të bërë bartjen e tyre dhe ta zbatojnë vendimin.
Ndryshe, Ministria e Drejtësisë më 28 shkurt të këtij viti kishte marrë vendim për të pushuar nga detyra e përmbaruesin privat Mulhaxhën, me arsyetimin se Komisioni Disiplinor për Përmbarues Privatë ka gjetur shkelje disiplinore ndaj tij.