Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka falënderuar NATO-n për prezencën dhe ndihmën e deritanishme në Kosovë për të ofruar siguri dhe stabilitet.
E para e vendit në një konferencë të përbashkët për media me sekretarin e Përgjithshëm të NATO-së, Jens Stoltenberg, ka thënë se Kosova është sukses historik i aleancës ushtarake, NATO, por që ka forca keqdashëse që duan ta sfidojnë dhe ta rrënojnë atë.
“Jam këtu si dëshmi e orientimit strategjik te Kosovës. NATO-ja është fati ynë, siç e thashë edhe në takimin bilateral, jemi shumë mirënjohës për lidershipin e sekretarit të përgjithshëm në NATO për këtë kohë goxha të rëndë. Më lejoni të shpreh mirënjohjen tonë, të popullit tonë, të institucioneve të Kosovës për rolin që NATO ka luajtur në shpëtimin e jetëve tonë dhe rolin qe luan edhe sot për të siguruar paqe dhe siguri të qëndrueshme në rajonin tonë. Duhet të jemi krenarë për këto arritje. Saktësisht për shkak se Kosova është sukses historik i NATO-s, ka forca keqdashëse që duan ta sfidojnë dhe ta rrënojnë atë. Nuk duhet ta lejojmë këtë. Kosova dhe rajoni nuk duhet të sfidohen për shkak të keqdashjes ruse. Veriu i Kosovës ka qenë dhe do të vazhdojë të jetë pjesë e Republikës. Nuk do të lejojmë që veriu të jetë fushëbetejë për arritjet hegjemoniste të autokratëve rajonalë. Ne jemi për integrimin e veriut. I kam dënuar sulmet e 29 majit ndaj ushtarëve të KFOR-it që janë organizuar nga krimi serb. Mendimet tona janë me ushtarët e lënduar”, ka thënë Osmani.
Osmani ka thënë se vlerëson kontributin e të gjithëve që kanë shërbyer në Kosovë si pjesë e NATO-s.
“Ne e vlerësojmë kontributin e grave dhe burrave në uniformë që kanë shërbyer në Kosovë si pjesë e misionit të KFOR-it, duke i mundësuar Kosovës që të zhvillohet dhe duke u ofruar të gjithë njerëzve në Kosovë një mundësi për të jetuar në Kosovë”, ka vijuar ajo.
Ajo tutje ka theksuar se “sukseset e Kosovës janë po ashtu sukseset e NATO-s”.
“Jemi krenarë që kemi demokracinë më të gjallë në rajon dhe një rini rezistente me një frymë të madhe sipërmarrëse”, ka theksuar ajo.
Osmani ka shprehur gatishmërinë që të sillen para drejtësisë kriminelët që sulmuan ushtarët e KFOR-it, gazetarët e njësitet policore në veri të Kosovës gjatë fund të majit.
“Sulmet në veri ndaj pjesëtarëve të KFOR-it, qytetarëve dhe gazetarëve janë të papranueshme dhe sulmuesit duhet të dalin para drejtësisë. Nuk do të lejojmë që veriu i Kosovës të jetë fushëbetejë për arritjet hegjemoniste të autokratëve rajonalë”, kështu duke aluduar në presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Qëkur u rritën tensionet në fund të majit në veri të Kosovës, NATO vazhdimisht u ka bërë thirrje të gjithë faktorëve në rajon që të përmbahen nga veprimet që do të rrisnin edhe më shumë tensionet dhe të bëjnë hapa për qetësimin e situatës.
NATO po ashtu ka përsëritur se mbetet e përkushtuar që përmes KFOR-it të sigurojë qetësi dhe siguri për të gjithë në Kosovë.