Koordinatori i Departamentit për Drejtësi në PDK-së, Përparim Gruda, ka kritikuar Ministrinë e Drejtësisë, respektivisht ministren Albulena Haxhiu, duke thënë se ka dështuar të japë një sqarim të vetëm për familjen e Astritit dhe qytetarët e vendit.
“Sot janë bërë 273 ditë që nga 8 dhjetori i vitit të kaluar, kur në Ministrinë e Drejtësisë janë zhdukur mostrat e Astrit Deharit. Për tetë muaj të plotë, ministrja Albulena Haxhiu ka dështuar të japë një sqarim të vetëm për familjen e Astritit dhe qytetarët e vendit”, ka shkruar Gruda.
Tutje, ai ka theksuar se “në vend të llogaridhënies dhe dhënies së përgjegjësisë, ajo po tenton të fshihet duke sulmuar Prokurorinë. Ky nuk është qëndrimi i vetëm kontradiktor dhe joprofesional i kësaj ministre”.
Sipas tij, përveç sulmeve direkte ndaj Prokurorisë, ministrja Albulena Haxhiu ka marrë në mbrojtje të korruptuarit e partisë së saj.
“Gjatë kësaj periudhe, ne kemi parë që përveç sulmeve direkte ndaj Prokurorisë, ajo ka marrë në mbrojtje të korruptuarit e partisë së saj. Albulena Haxhiu, në kundërshtim me rolin e saj për të ruajtur dhe forcuar integritetin e organeve të drejtësisë, është shndërruar në një zëdhënëse të të akuzuarve për korrupsion, Martin Berishaj, Nagip Krasniqin, Rozeta Hajdarin dhe të tjerët”, vijon ai.
“Deri sot, në 900 ditët e saj si ministre, për fatin e keq të Kosovës dhe qytetarëve tanë, Albulena Haxhiu ka dëshmuar çdo ditë se si nuk duhet të jetë një ministre e Drejtësisë. Ministre ku janë mostrat e Astrit Deharit?”, ka përfunduar Gruda.