Në një raport të publikuar nga Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Gratë (UN Women) të enjten, theksohet se bota është duke dështuar në përmbushjen e synimeve të përcaktuara për barazinë gjinore, e përfshirë qasjen në edukim, përfaqësimin në politikë, dhe ndalimin e diskriminimit dhe dhunës ndaj grave dhe vajzave.
Raporti analizon përparimin pas miratimit të një dokumenti nga vendet anëtare në vitin 2015, i cili synonte krijimin e një bote më të barabartë për të gjitha gratë deri në vitin 2030.
Në përgjithësi, sipas raportit, rezultatet janë të dobëta dhe përmbushja e synimeve duket e largët.
Zëvendësshefja ekzekutive e UN Women, Sarah Hendriks, ka theksuar se “bota duket se është duke dështuar në avancim dhe arritje të barazisë gjinore.”
Synimi i këtij dokumenti bazohet në eliminimin e diskriminimit gjinor, dhunës ndaj grave, martesave të detyruara dhe sigurimin e qasjes së grave në shëndet riprodhues, si dhe pjesëmarrjen e tyre në jetën politike dhe ekonomike.
Megjithatë, raporti tregon se mbi gjysma e këtyre synimeve nuk janë realizuar deri tani.
Çdo vit, 245 milionë gra mbi moshën 15-vjeçare janë viktima të dhunës fizike nga partnerët e tyre, ndërsa një në pesë gra martohen para moshës 18-vjeçare.
Gratë gjithashtu i shpenzojnë 2.8 orë më shumë në ditë për punët e shtëpisë krahasuar me burrat, dhe përbëjnë vetëm 26.7% të të gjithë deputetëve në botë.
Ndryshimi i këtij trendi do të kërkojë investime të konsiderueshme, në vlerë prej 360 miliardë dollarëve në vit, në 50 vende në zhvillim, të cilat përfaqësojnë rreth 70% të popullsisë së botës, sipas vlerësimit të OKB-së.