Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra, ka dorëzuar një “padi për shpifje” ndaj ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, për deklarata që ajo ka bërë në një studio televizive. Në përgjigje të kësaj padie, ministria e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka reaguar në një postim në Facebook.
Ministrja e Drejtësisë ka akuzuar deputeten e PDK-së se ka marrë pagesa në mënyrë të paligjshme.
Në postimin e saj në Facebook, ministrja Haxhiu ka thënë se do të publikojë një raport financiar, që sipas saj, dëshmon për shpërdorim të fondeve publike nga deputetja Deliu-Kodra, pavarësisht faktit që ajo nuk kishte qenë pjesëmarrëse në shumicën e mbledhjeve të Komisionit për Kompensimin e Viktimave të Krimit.
“Për çfarë më paska paditur deputetja Blerta Deliu Kodra? Për të vërtetën? Shumë mirë. Ne do ta bëjmë publik raportin financiar, i cili dëshmon që e njëjta ndonëse nuk kishte qenë pjesëmarrëse në shumicën e mbledhjeve te Komisionit për Kompensimin e Viktimave të Krimit, ishte paguar për këtë në mënyrë të paligjshme”, ka shkruara ajo në Facebook.
Ajo ka shtuar se për këtë e ka njoftuar me shkrim kryetarin e Komisionit për Legjislacion dhe po ashtu ka folur publikisht.
Dhe sipas saj, veprimi i duhur do të ishte kthimi i mjeteve që i ka përfituar paligjshëm.