Në shkollën e mesme “Xhevdet Doda”, në Prishtinë, po dyshohet se gjendet një mjet i dyshuar shpërthimi.
Në një përgjigje për Portali D, zëdhënësja e Policisë së Kosovës për Komunën e Prishtinës, Flora Ahmeti ka thënë se kërcënimi ndaj kësaj shkolle ka ardhur nga posta elektronike.
“Sot rreth orës 11:00 është pranuar informata për dyshimet që ndërlidhen me një shpërthim të mundshëm në shkollën “Xhevdet Doda” në Prishtinë. Informacionet e para flasin se kanosja e dyshimtë ka ardhur përmes postës elektronike”, ka thënë ajo.
Sipas Ahmetit, me të marrë lajmin, polici ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka marrë veprimet e nevojshme për ta siguruar zonën.
Ajo ka bërë të ditur se nxënësit dhe personeli i shkollës janë evakuuar në një perimetër më të sigurtë.
“Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka nisur ndërmarrjen e veprimeve operative të nevojshme për të menaxhuar me situatën në atë zonë. Ndërkohë që në një perimetër të caktuar policia ka evakuar nxënësit dhe personelin e shkollës, specialist të policisë po trajtojnë dhe verifikojnë informatën”, ka shtuar ajo.
Ditë më parë, një kërcënim i ngjashëm kishte ardhur edhe në objektin e Rektoratit të UP-së, i cili doli se ishte informacion i rremë.