Pas dënimit të Nasim Haradinajt, gruaja e tij Xheljane Haradinaj, ka thënë se e ka pritur këtë vendim, sepse sipas saj Gjykata Speciale është politike dhe e njëanshme.
Ajo është shprehur se fjala e prokurorit që kishte thënë “Në emër të popullit”, e ka rënduar, sepse sipas saj gjykata në fjalë nuk është e Kosovës.
“Po ta kishin liruar isha gëzuar, për mua vetëm fjala që e tha prokurori “në emër të popullit”, më rëndoi. Nasimin nuk e ka dënuar populli, Nasimi ka bërë cdo gjë për popullin e tij”, ka thënë ajo.
Vendimin për ta dënuar bashkëshortin e saj, ajo e ka cilësuar si shumë të dëmshëm jo vetëm për familjen e saj por për të gjithë vendin.
“Kjo tregon se aty nuk ka drejtësi, ata kanë bashkëpunuar me serbë, për atë është rezultati që është. Është shumë shqetësuese në përgjithësi për të gjithë. Nasimi po ballafaqohet me dënimin e Serbisë, kjo po na përkujton vuajtjet e së kaluarës”, ka shtuar ajo.
Hysni Gucati e Nasim Haradinaj janë shpallur fajtorë nga Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.
Ish-kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës (OVL-UÇK), Hysni Gucati, është dënuar me katër vjet e gjysmë burgim duke llogaritur kohën e kaluar në paraburgim.
Po ashtu, ish-nënkryetari i OVL-UÇK-së, Nasim Haradinaj, është dënuar me katër vjet e gjysmë burgim.