Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se ka pranuar ”letër kërcënuese nga terroristët”, pas sekuestrimit të një sasie të madhe të armëve dhe të municionit në veri të vendit nga Policia e Kosovës.
Kështu ka thënë ai në një intervistë për median estoneze “Delfi”, teksa ka folur edhe për përfshirjen e Rusisë në tensionet e shtuara në mes të Kosovës dhe Serbisë.
”Kemi konfiskuar një sasi të madhe municionesh dhe kallashnikovë nga një shtëpi në një komunë me shumicë serbe në veri të Kosovës. Pak para se të vija në intervistë, mora një tjetër letër kërcënuese nga terroristët, ku thuhej me tallje se armët që kishim sekuestruar ishin vetëm një pjesë e vogël e pajisjeve të tyre”, është shprehur ai.
Kreu i ekzekutivit, derisa ka përmendur komunat në veri të vendit, ka theksuar se disa nga personat e përfshirë në trazirat e ndodhura në veri pak muaj më parë kanë qenë pjesëtarë të grupit mercenar Wagner.
Ndërkaq, Kurti foli edhe për posedimin e provave që ”disa nga serbët që bojkotuan zgjedhjet ishin të lidhur me grupin Wagner, madje disa prej tyre ishin anëtarë të grupit mercenar”.