Jo rrallë here mbeten sekret bisedat dhe propozimet që palët pranojnë brenda këtyre zyrave.
Kjo kishte ndodhur edhe me planin franko-gjerman, ekzistencën e të cilit pala kosovare e mohoi për disa muaj.
Megjithatë del se data e saktë se kur është propozuar ky plan ka qenë 9 shtatori i vitit të kaluar.
Kjo nënkuptohet nga një postim i kryeministrit në “Twitter”, përmes së cilit kërkon që Serbia të mos i ikë përgjegjësisë për zbatim.
Por në planin të cilin nuk e ka nënshkruar asnjëra palë por që janë pajtuar me përmbajtjen më 27 shkurt, sipas Zëvëndëskryeministrit nuk është njohja formale dhe ky ishte një lëshim i madh i Kosovës.
Qëndrime të tilla si ky i Besnik Bislimit dhënë për gazetën serbe “Danas”, sipas analistëve janë e vërteta e planit e jo deklaratat për konsum të brendshëm politik.
“Prej idesë dhe qëllimeve për një marrëveshje e cila ke njohje reciproke, kemi pranuar një marrëveshje e cila praktikisht e njeh pavarësinë e Kosovës ose të paktën i lejon të zhvillojë sovranitetin e saj, politikën e jashtme të saj”, ka thënë Visar Xani, Analist politik.
Xani thotë marrëveshja e arritur në Ohër gjatë marsit të këtij vitit duhet të zbatohet e plotë sepse sekuencimi është strategji që vështirë se do të sjellë rezultate.
“Problemi më i madh tek marrëveshja e Ohrit është çështja e interpretimit. Ndryshe interpretohet nga Kosova, ndryshe interpretohet nga Serbia, dhe ndryshe interpretohet nga Bashkimi Evropian”, shtoi Xani.
Interpretimi është problem edhe kur vjen në pah qasja e ndërkombëtarëve në raport me Kosovën. Kështu nënkuptohet në një shkrim që Instituti për Studime Politike Ndërkombëtare (ISPI), njëri ndër institutet më prestigjioze që ka Italia për studimet e politikës së jashtme, ka publikuar rreth zhvillimeve në Ballkanin Perëndimor, duke përfshirë edhe problemet mes Kosovës dhe Serbisë.
“Pas dhunës kundër ushtrisë së KFOR-it në fund të majit, kur vendosja e kryetarëve shqiptarë në katër komunat e veriut të Kosovës shkaktoi reagimin serb, si Brukseli ashtu edhe Uashingtoni sanksionuan qeverinë kosovare, e shpallën fajtore për provokimin që çoi në përshkallëzim, një veprim i vendosur në mënyrë të pavarur pa informuar partnerët ndërkombëtarë. Kosovës fillimisht iu ndalua nga ushtrimet ushtarake Defender Europe 23 të udhëhequr nga SHBA-ja, më pas BE-ja ngriu disbursimin e fondeve derisa të angazhohet për de-përshkallëzimin. Në të njëjtën kohë, asnjë sanksion nuk u drejtua ndaj Serbisë, madje as kur dy javë pas trazirave në veri, policia arrestoi tre policë kosovarë në zonën kufitare mes dy vendeve.”, thuhet nga Instituti për Studime Politike Ndërkombëtare – Itali.
Rreziqet e kësaj sjellje sipas institutit Italian e kanë pezulluar angazhimin diplomatik që filloi me iniciativën franko-gjermane në atë kohë, e cila më vonë rezultoi në Marrëveshjen e Ohrit dhe, si rrjedhojë, mbyll një sy ndaj qëndrimit të Serbisë në rajon, e cila synon krijimin e “botës serbe”.