Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Abelard Tahiri, ka njoftuar përmes një njoftimi në faqen e tij në Facebook se përgjegjësia për degradimin e arsimit është përgjegjësi që kërkon llogaridhënie nga Qeveria.
“Përgjegjësia për degradimin e arsimit, e manifestuar në kurriz të nxënësve, prindërve e mësimdhënësve me rastin e mosfurnizimit të tyre me libra shkollorë nga ana e qeverisë, është përgjegjësi që kërkon llogaridhënie. Prandaj, sesionin vjeshtor të Kuvendit po e nisim me debat parlamentar për skandalin e Qeverisë me librat shkollorë”, ka shkruar Tahiri.
Tutje, ai ka theksuar se “kjo modë degradimi që ka nisur nga hajnia në energji e rezerva shtetërore, tek izolimi dhe sanksionet ndaj Kosovës, e deri te bllokimi i ekonomisë dhe papunësia e ikja e të rinjve, të cilin degradim e ka sjellë në mesin tonë paaftësia e qeverisë së Albin Kurtit, duhet të marrë fund sa më parë”.
“Për këtë shkak, në Kuvend dhe në mënyrë demokratike, do të angazhohemi ekskluzivisht për t’i dhënë fund kësaj qeverisje depresive e korruptive”, ka përfunduar Tahiri.