Lëvizja Vetëvendosja ka akuzuar kryetarin e Prishtinës, Përparim Rama, për mungesë të informacionit dhe përgjigjeve konkrete në lidhje me organizimin e Lojërave Mesdhetare 2030.
Kryetari i Prishtinës gjatë konferencës të hënën u përball me pyetje nga gazetarët në lidhje me financimin dhe përgatitjet për këtë ngjarje të madhe sportive, por sipas LVV-së, ai nuk mund të jepte përgjigje të qarta, ndërsa tenton të shfrytëzojë ngjarjen për të fituar përkrahje.
“Në vend se Përparim Rama të mbante konferencë për media mbi arrestimet e dy njerëzve më të afërm të tij, ai u përpoq të sjellë ekskluzivitetin e Lojërave Mesdhetare 2030, punë për të cilën nuk e ka asnjë kontribut të vetëm”, ka shkruar LVV-ja në Facebook.
Lëvizja Vetëvendosje publikoi një video nga konferenca, ku shfaqen pyetjet e gazetarëve dhe përgjigjet e Ramës. Në njërën prej pyetjeve, gazetari e pyeti kryetarin e Prishtinës se sa do të jetë shuma e investuar nga Komuna e Prishtinës për këtë ngjarje.
Rama përgjigjet me fjalët: “Nuk kemi një shumë të caktuar të parashikuar, por jemi të fokusuar që të jenë lojëra fantastike.”
Lëvizja Vetëvendosje e ka kritikuar Ramën për këtë përgjigje, duke thënë se ai nuk kishte asnjë informacion të rëndësishëm dhe nuk mund të ofronte detaje të konkrete lidhur me organizimin e ngjarjes.
Ata gjithashtu kanë akuzuar Ramën për tentativën e tij për të sjellë ekskluzivitetin e Lojërave Mesdhetare 2030, madje sipas tyre, ai as nuk është i përfshirë në organizim.