Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë takimit të tij me kongresistin Jim McGovern – kryetar i Komisionit për Rregulla në Dhomën e Përfaqësuesve, teksa ka përmendur rrezikun e destabilizimit të Ballkanit Perëndimor, ka kërkuar përshpejtim të anëtarësimit të Kosovës në NATO.
Sipas njoftimit të zyrës së kryeministrit, i pari i qeverisë ka theksuar se Aleanca ushtarake Serbi-Rusi paraqet kërcënim për paqen dhe sigurinë në rajonin e Ballkanit Perëndimor.
“Megjithëse NATO është e pranishme në Kosovë dhe Shtetet e Bashkuara mbajnë një bazë të madhe ushtarake në vendin tonë, gjë që na bën të ndihemi të sigurt, një përshpejtim i anëtarësimit të Kosovës në NATO do të zvogëlonte shumë kërcënimin e sigurisë në Ballkanin Perëndimor dhe do të forconte paqen dhe sigurinë në Evropë”, ka thënë Kurti.
Duke diskutuar për invazionin dhe agresionin rus në Ukrainë, kryeministri Kurti ka theksuar reagimin e menjëhershëm të Qeverisë së Kosovës duke u rreshtuar përkrah ShBA-së dhe BE-së, me vendosjen e sanksioneve kundër Federatës Ruse dhe me ofrimin e ndihmës dhe përkrahjes për Ukrainën.
Ai e ka vënë theksin te rreziku që mund të paraqitet për destabilizimin e Ballkanit Perëndimor.
“Kjo për shkak të lidhjeve të forta të Serbisë me Rusinë, në veçanti asaj ushtarake”, vijon njoftimi.
Gjatë këtij takimi, i pari i ekzekutivit ka njoftuar kongresistin McGovern për progresin përgjatë qeverisjes njëvjeçare, synimet, planet dhe prioritet e qeverisë në vijim të mandatit.
“Kryeministri ka thënë se vitin e kaluar kemi arritur rritje ekonomike prej 10,53%, me rritje prej 83,6 për qind të eksporteve, 21 për qind rritje të IHD-ve, 30 për qind rritje të të hyrave tatimore dhe 31 për qind rritje të të hyrave doganore”, thuhet në njoftimin e kryeministrisë.
Po ashtu, kryeministri ia ka shprehur atij mirënjohjen për përkrahjen nga Kongresi dhe për kontributin e pakursyer të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për pavarësinë dhe shtetndërtimin e Kosovës.