Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në takim Kryesuesin e Komisionit për Punë të Jashtme të Parlamentit gjerman, Michael Roth.
Gjatë bisedës u diskutua rreth reformave të Qeverisë, situatën aktuale në vend, dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian dhe takimin e radhës të nivelit të lartë politik që do të mbahet të enjten e kësaj jave, si dhe për rrugëtimin e anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare, përfshirë Këshillin e Evropës dhe Bashkimin Evropian, dhe për marrëdhëniet bilaterale ndërmjet Kosovës dhe Gjermanisë.
“Tregues të thellimit të marrëdhënieve bilaterale janë shkëmbimet tregtare dhe investimet e huaja. Nga viti 2021 në vitin 2022, eksportet e Kosovës për në Gjermani janë rritur për 42% ndërkaq investimet e Gjermanisë në Kosovë për 60%”, thuhet në njoftimin e kryeministrisë.
Kurti e njoftoi deputetin Roth me progresin e përgjithshëm, me theks te indikatorët e fundit makroekonomik dhe me arritjet kryesore të qeverisjes.
“Ai falënderoi Roth për mbështetjen e vazhdueshme të Gjermanisë ndaj Kosovës por edhe për mbështetjen e tij”.
Michael Roth ishte njëri nga nënshkruesit e parë të letrës së përbashkët të 10 kryetarëve të komisioneve parlamentare për politikë të jashtme të 16 shteteve, në të cilën ishte shprehur mbështetja për Kosovën dhe ishte bërë thirrje për qasje më të ashpër ndaj Serbisë.
Kryesuesi i Komisionit për Punë të Jashtme të Bundestagut gjerman, Michael Roth u shpreh falënderues për mikpritjen dhe bashkëpunimin e mirë, duke ofruar mbështetjen e tij të mëtejme.