Kim Jong Un arrin në Rusi për të biseduar me Putinin

Kim Jong Un, presidenti i Koresë së Veriut, ka mbërritur në Rusi të martën për një takim me presidentin rus, Vladimir Putin, ku pritet t'i ofrojnë njëri-tjetrit mbështetje më të madhe në përplasjet e tyre në përshkallëzim me Perëndimin

Presidenti i Koresë së Veriut, Kim Jong Un.

Lideri verikorean, Kim Jong Un, ka arritur në Rusi për t’u takuar me presidentin e shtetit, Vladimir Putin, ka thënë Ministria jugkoreane e Mbrojtjes.

Ka pasur indikacione se treni privat i Kimit e ka kaluar kufirin me Rusinë në mëngjesin e së martës, ka thënë ministria në Seul.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, ka thënë se takimi i Putinit me Kimin do të ndodhë në Lindje të Largët të Rusisë, ka raportuar agjencia ruse e lajmeve TASS, ndonëse nuk është bërë i ditur vendi i saktë i takimit.

Peskov ka thënë se fillimisht do të zhvillohen takime në mes të dy delegacioneve dhe më pas takime në mes të liderëve.

Media shtetërore në Korenë e Veriut ka konfirmuar që Kim është nisur nga Pheniani në Rusi, me trenin privat, qysh prej pasdites të së dielës.

E përditshmja amerikane, “New York Times”, ka raportuar se Kim planifikon të negociojë me Putinin për furnizime me armë.

Kim largohet shumë rrallë prej Koresë së Veriut dhe sa herë që largohet, ai udhëton me trenin e vet.

Gazeta amerikane ka raportuar se ushtria ruse është duke tentuar të sigurojë armë dhe municion për luftën në Ukrainë dhe se Putin shpreson që do të sigurojë artileri dhe armë antitank nga verikoreanët.

Kim, në anën tjetër, shpreson se nga rusët do të sigurojë satelitë dhe nëndetëse me kapacitet bërthamor, por edhe ndihma ushqimore.

Pas konfirmimit të takimit, Departamenti amerikan i Shtetit ka thënë se Uashingtoni e rezervon të drejtën për t’iu vënë më shumë sanksione Rusisë dhe Koresë së Veriut, marrë parasysh planet për shkëmbim armësh.

“Çdo transferim i armëve prej Koresë së Veriut në Rusi përbën shkelje të rezolutave të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara”, ka thënë zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Matthew Miller.

Kim ka qenë në Rusi vetëm një herë, kur e ka vizituar qytetin e Vlladivostikut në prill të vitit 2019 – edhe atëherë me tren privat.

Atë vit, ai ka biseduar me Putinin për programin bërthamor verikorean dhe për forcim të lidhjeve ekonomike në mes të dy vendeve./REL

Shija e redaktorit

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” Promovon në Tiranë serinë e Lektyrave Shkollore

Në ditën e katërt të edicionit të 27-të Panairit të Librit në Tiranë, Shtëpia Botuese “Dukagjini” promovoi serinë e lektyrave shkollore, e cila këtë...

Të fundit nga rubrika