Administrata e presidentit Biden ka hapur rrugën për lirimin e pesë shtetasve amerikanë të ndaluar në Iran, duke lejuar bankat ndërkombëtare që të transferojnë 6 miliardë dollarë, para të ngrira iraniane, nga Koreja e Jugut për në Katar, pa frikën e sanksioneve amerikane.
Përveç kësaj, si pjesë e marrëveshjes, qeveria amerikane ka rënë dakord që të lirojë pesë shtetas iranianë të mbajtur në Shtetet e Bashkuara.
Sekretari i Shtetit, Antony Blinken, nënshkroi lejimin e transferimit të parave në fund të javës së kaluar, një muaj pasi zyrtarët amerikanë dhe iranianë thanë se parimisht ishte arritur një marrëveshje. Kongresi nuk u informua për vendimin deri të hënën.
Por, zhbllokimi i parave iraniane ka gjasa të nxisë kritika nga republikanët dhe të tjerët se marrëveshja do të nxisë ekonominë iraniane në një kohë kur Teherani përbën një kërcënim në rritje për trupat amerikane dhe aleatët në Lindjen e Mesme, shkruan VOA.
Vendimi i qeverisë amerikane nënkupton se bankat evropiane, të Lindjes së Mesme dhe të Azisë nuk do të cilësohen se shkelin sanksionet amerikane për konvertimin e parave iraniane të ngrira në Korenë e Jugut dhe transferimin e tyre në bankën qendrore të Katarit, ku do të përdoren nga Irani për blerjen e mallrave me qëllime humanitare.
Transferimi i 6 miliardë dollarëve ishte element kritik në marrëveshjen e lirimit të të burgosurve, ku katër nga pesë të burgosurit amerikanë u transferuan nga burgjet iraniane në arrest shtëpiak muajin e kaluar. I arrestuari i pestë kishte qenë në arrest shtëpiak.
Për shkak të sanksioneve të shumta amerikane ndaj bankave të huaja që angazhohen në transaksione që synojnë përfitimin e Iranit, disa vende evropiane ishin shprehur kundër pjesëmarrjes në transferimin e parave. Por, masa e nënshkruar nga Blinken synon të lehtësojë shqetësimet e tyre lidhur me sanksionet amerikane.
Individë me njohuri mbi negociatat thanë se presin që të arrestuarit të lirohen javën e ardhshme.
Ndër të burgosurit amerikanë është edhe Siamak Namazi, i cili u arrestua në vitin 2015 dhe më vonë u dënua me 10 vjet burgim nën akuzat për spiunazh, të kritikuara botërisht; sipërmarrësi Emad Sharghi i dënuar me 10 vjet. Si dhe Morad Tahbaz, një konservator britaniko-amerikan me origjinë iraniane, i cili u arrestua në vitin 2018 dhe gjithashtu mori një dënim 10-vjeçar. Dy amerikanët e tjerë nuk janë identifikuar.
“Për lirimin e tyre, Shtetet e Bashkuara janë zotuar të lirojnë pesë shtetas iranianë të mbajtur aktualisht në Shtetet e Bashkuara, dhe të lejojnë transferimin e rreth 6 miliardë dollarëve të mbajtura në Korenë e Jugut për në Katar, ku fondet do të përdoren vetëm për tregti humanitare”, u shpreh Blinken.
Masa amerikane për transferimin e parave iraniane përfshin banka dhe institucione të tjera financiare në Korenë e Jugut, Gjermani, Irlandë, Katar dhe Zvicër.