Të enjten e 14 shtatorit, në Bruksel do të takohen kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, në praninë e përfaqësuesit të lartë të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, dhe emisarit të Bashkimit Evropian (BE) për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.
Në njoftimin e BE-së bëhet e ditur se fillimisht Borrelli e Lajçaku do të kenë takim ndaras me liderët, pastaj do të pasojë takimi trepalësh.
Tutje, në njoftim bëhet e ditur se takimet ndaras do të nisin në orën 09:00 e pastaj do të jetë takimi trepalësh.
“Takimi do të jetë i fokusuar në zbatimin e Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit, si dhe çështjet aktuale”, thuhet në njoftim.
Ndërsa, pas takimeve është paralajmëruar deklaratë për media nga kryediplomati evropian, Borrell.
Takimi i 14 shtatorit mes Kurtit dhe Vuçiqit është i pari prej kur janë rritur tensionet në veri të Kosovës.
Tensionet janë rritur pasi banorët serbë në këto komuna nuk i kanë pranuar kryetarët e rinj shqiptarë – të dalë nga zgjedhjet që ata i kanë bojkotuar dhe e kanë refuzuar hyrjen e kryetarëve nëpër ndërtesa komunale.