Si (s)po ecin ndryshimet Kushtetuese? Talat Xhaferi e Nuri Bexheti japin detaje

“Të gjitha forcat politike shqiptare në Maqedoninë e Veriut janë mbështetëse të ndryshimeve kushtetuese dhe procesit integrues të vendit në Bashkimin Evropian”, ka potencuar kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, duke shtuar se “këtë e kemi dëshmuar edhe në procesin e anëtarësimit në NATO”

Në të majtë, Talat Xhafer dhe në të djathtë Nuri Bexheti

“Të gjitha forcat politike shqiptare në Maqedoninë e Veriut janë mbështetëse të ndryshimeve kushtetuese dhe procesit integrues të vendit në Bashkimin Evropian”, ka potencuar kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, duke shtuar se “këtë e kemi dëshmuar edhe në procesin e anëtarësimit në NATO”.

Prandaj, shqiptarët janë dhe pro ndryshimeve kushtetuese që po kërkohen tash nga Bullgaria për të mundësuar rrugëtimin e integrimit drejt unionit, ka shtuar Xhaferi.

Me 18 gusht u hap zyrtarisht seanca parlamentare për këto ndryshime, por ajo është ndërprerë, pasi mazhoranca nuk i ka numrat.

Nga 120 deputetët në Kuvendin e Maqedonisë Veriore për ndryshime të Kushtetutës duhen së paku 80 deputetët. Partitë që udhëheqin aktualisht kanë 68 deputetë.

Partitë opozitare, më e madhja VMRO-DPMNE janë kundër ndryshimeve të kërkuara.

Seanca mund të ri-fillojë “kur të krijohen kushtet”, ka deklaruar Xhaferi.

“Krijimi i kushteve”, siç e elaboron Xhaferi, nënkupton atë se “kanë mundësi (iniciuesit e ndryshimeve kushtetuese), apo nuk kanë mundësi të vazhdojnë me procesin e votimit”.

Mundësia për rritje vote nga pushteti ekziston, sepse, e thotë edhe kryeparlamentari Xhaferi, akoma “nuk ka përfunduar debati”.

Qeveria maqedonaso-veriore e ka në mbështetje edhe perëndimin, por a ndihmon kjo mbështetje në rritje të numrit të votave?

Edhe po u ndrydhen të gjitha mundsitë, “nuk ka për momentin më tepër se 72, maksimumi 74 vota pro ndryshimeve”, ka thënë profesori i Historisë në Fakultetin Filozofik në Prishtinë, Nuri Bexheti për Albanian Post.

Ndërsa, stërzgjatjen e procesit pohon ta ketë pritur, pikërisht për shkak të këtyre mungesave.

Ai beson se “përpjekje për të gjetur konsensus brenda faktorit politik të përfaqësuar në parlament për të siguruar 80 vota do të bëhen”, por do jetë e vështirë, pikërisht se “partia kryesore opozitare maqedonase heziton dhe nuk pranon në asnjë mënyrë që momentalisht të bëhen ndryshimet kushtuese”.

Se do bëhen votat, apo jo, s’mund ta thotë as Xhaferi.

Përkundër se funksionar i lartë i partisë më të madhe shqiptare atje, BDI-së, deklarohet jo kompetent që të flas për këtë çështje.

Edhe pse për numër votash s’mund të flas, me patjetër e ka të theksoi rëndësinë e votimit pro.

“Për shkak se i hap rrugë Maqedonisë së Veriut për anëtarësim në BE”.

“Në një shkallë prej 90 për qind e shqiptarëve këtu mbështesin integrimin në BE-së, nëse iu referohemi vetëm qytetarëve shqiptarë”, potencoi, duke shtuar se numri totalë mbështetës i popullsisë pa dallime etnike është 60 për qind”.

Për Bexhetin, njohës i mirë i rrethanave në Maqedoni të Veriut është e qartë pse partitë opozitare maqedonase s’i duan ndryshimet me këtë qeveri.

Fillimisht, “kërkojnë që të ketë zgjedhje të parakohshme”.

Por, kjo përbën veç një arsye. Edhe për Bexhetin që i përcjellë nga afër zhvillimet atje, “ka shumë të panjohura”.

Ndryshimet po kërkohen në Maqedoni të Veriut si kërkesë e Bullgarisë, por në këtë proces përfshirja është shumë më e gjerë.

Deri dhe i Dërguari Special i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar u përfshi personalisht duke aranzhuar edhe vizitë në Shkup.

Escobar dha mbështetjen e tij për ndryshimet kushtetuese, duke reprezentuar qëndrimin e qartë amerikan.

Ashtu sikur Escobar, edhe misionet diplomatike të vendeve të tjera perëndimore në Shkup, gjatë takimeve që po i zhvillojnë me opozitën maqedonase “po bëjnë përpjekje për të përcjellur argumente racionale se sa të rëndësishme janë ndryshimet kushtetuese”, tregon Bexheti.

Futja e bullgarëve në preambulën e Kushtetutës maqedonase është kusht i patejkalueshëm që Bullgaria ia ka vënë Maqedonisë së Veriut në lidhje me procesin e anëtarësimit të kësaj të fundit në BE.

Duke ditur këtë, Bexheti thekson nevojën e votimit të këtyre ndryshimeve kushtetuese, përndryshe beson ai, Maqedonia e Veriut nuk do të mund assesi të ecë para, dhe për ta ilustruar këtë bëri një analogji që ky vend e kishte pasur me Greqinë, sa i përket çështjes së emrit.

“Pa miratimin e votës bullgare, po u plotësuar kërkesat bullgare, Maqedonia do të vend-numërojë, siç vend-numëroi për 20 vjet nga pengesa greke për çështjen e emrit”.

Sa i përket rolit të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, ai nënvizon rëndësinë tejet të madhe që ata e kanë në tërë proceset e rëndësishme të këtij vendi.

Thotë se ky shtet “nuk mund të ekzistojë pa faktorin politik shqiptar”.

“Vetë popullsia shqiptare në Maqedoni, shtrirja gjeografike e tyre, përfaqësimi i tyre në parlament, roli vendimtar i subjekteve politike shqiptare në ndryshimin e emrit etj”.

Bexheti, i cili është vetë shqiptar i Maqedonisë së Veriut, deklaron se “ne si shqiptarë që jetojmë këtu e kemi vetëm një opsion, vetëm një rrugë – orientimin nga perëndimi”.

“Ajo është alternativa e vetme, nuk kemi adresa të tjera, si mund të kenë partitë tjera maqedonase, apo të tjera, që mund të kenë shpresa në drejtim të Serbisë, Bullgarisë, apo Rusisë. Ne s’kemi”.

“Kemi vetëm një plan: Plani A me NATO-n, dhe plani B me BE-në, në të kundërtën vendi rrëshqet në nacionalizëm, ndryshojnë kufijtë, bëhen probleme”.

Çka janë saktësisht këto ndryshime kushtetuese dhe pse po i kërkon me patjetër Bullgaria?

Historiani në Universitetin e Prishtinës, Hasan Prishtina, Nuri Bexheti, duke shpjeguar kërkesën e Bullgarisë, potencon se Sofja zyrtare pretendon se në kufijtë politikë të Maqedonisë së Veriut, “një pjesë e tyre mund të ketë origjinë bullgare”, dhe se “nga leximi i politikëbërjes bullgare, të gjithë këta sllavishtfolës, në masën më të madhe, të përcaktimit ortodoks, duhet të jenë bullgarë”.

Zanafilla e këtij konteksti në mes të dy vendeve i ka rrënjët që nga luftërat ballkanike, në vitet 1912-1915, kur aleanca ballkanase, e përbërë nga Bullgaria, Serbia, Greqia dhe Mali i Zi luftuan me Perandorinë Osmane për ta larguar nga Ballkani.

“Për shkak të luftërave ballkanike, Luftës së Partë Botërore e Luftës së Dytë Botërore është krijuar një identitet i ri politik që quhet maqedonas”.

Prandaj, pohon ai, “në gushtin e vitit 1944, ne kemi krijimin e një republike të re brenda Jugosllavisë, pra gjashtë republika [Serbia, Mali i Zi, Kroacia, Maqedonia e Veriut, Bosnje e Hercegovina dhe Sllovenia] dhe dy krahina [Kosova dhe Vojvodina].

“Pra, Jugosllavia është një krijesë politike e [ish-diktatorit jugosllav, Josip Broz] Tito-s e 2 gushtit të vitit 1944, dhe bullgarët tani thonë: ju quajeni veten, identifikojeni veten si të doni, por e kaluara para vitit 1944 në kufijtë politikë të Maqedonisë, për popullsinë sllavishtfolëse të përkatësisë ortodokse ata janë bullgarë”.

“Kërkesa e tyre minimale është kjo: Meqë ka më shumë se 200 mijë qytetarë të Maqedonisë që posedojnë dokumente apo pasaportë bullgare, Sofja kërkon që kjo pjesë e përfaqësuar me dokumente bullgare të përfshihet në preambulën e Kushtetutës së Maqedonisë së Veriut”.

Duke qenë një problem me shumë nyje, Maqedonia e Veriut aktualisht po kalon një nga proceset më të rëndësishme sa i përket procesit të integrimit evropian.

Shija e redaktorit

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” Promovon në Tiranë serinë e Lektyrave Shkollore

Në ditën e katërt të edicionit të 27-të Panairit të Librit në Tiranë, Shtëpia Botuese “Dukagjini” promovoi serinë e lektyrave shkollore, e cila këtë...

Të fundit nga rubrika