Pas bastisjes në banesën e heronjve Fazliu, EULEX përmes një postimi ka thënë se nuk ka mandat për kryerjen e drejtpërdrejtë të operacioneve të bastisjes dhe konfiskimit.
EULEX ka thënë se mandati i tij është i kufizuar vetëm në ofrimin e mbështetjes logjistike.
“Misioni i Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit në Kosovë (EULEX) sqaron se që prej vitit 2018, EULEX-i nuk ka mandat për kryerjen e drejtpërdrejtë të operacioneve të bastisjes dhe konfiskimit. Në kuadër të kornizave të mandatit aktual për mbështetjen e institucioneve të caktuara të sundimit të ligjit në Kosovë, në rrugën e tyre drejt ngritjes së efektivitetit, qëndrueshmërisë, shumëetnisë dhe llogaridhënies, të lira nga ndërhyrjet politike dhe në pajtim me standardet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut dhe praktikat evropiane më të mira, në lidhje me operacionet e tilla, mandati i EULEX-it është i kufizuar vetëm në ofrimin e mbështetjes logjistike për autoritetet përkatëse gjyqësore dhe hetimore”, thuhet në reagim.
Sot është bastisur banesa e familjarëve Bahri e Fahri Fazliu nga EULEX-I, në lagjen “Bregu i Diellit” në Prishtinë.
Nipi i familjes, Fahri Fazliu, në emisionin “FIVE” në RTV Dukagjini ka thënë se nuk janë njoftuar nga Prokuroria Speciale për bastisjen.
“Sot rreth orës 7 të mengjesit më ka kontaktuar avokati i familjes tonë Artan Qerkini, kam diskutuar me të dhe e kam pyetur, tha është duke u kryer një bastisje nga Prokuroria Speciale dhe EULEX-i, dhe kaq nuk më dha asnjë informacion tjetër”, ka thënë Fazliu.
Lexo dhe: Nipi i dëshmorëve Fazliu: Nuk na kanë thënë se ka dyshime, vetëm na kanë bastisur
Fazliu ka thënë se nuk ka asnjë dyshim që rëndon mbi ta, duke shtuar se Prokuroria Speciale dhe EULEX-i nuk kanë bërë të ditur se kanë ndonjë dyshim, por vetëm se po kryejnë një bastisje.
“E kanë konfiskuar telefonin e babait Fadilit, telefonin e vëllaut Gzimit dhe e kanë konfiskuar një llaptop të punës të babait”, ka shtuar Fazliu.