Të martën e 13 shtatorit është zhvilluar ndeshja e futbollit në mes të Rumanisë dhe Kosovës, e vlefshme për kualifikimet e Kampionatit Evropian “Euro 2024”.
Kosova pësoi disfatë pavarësisht atmosferës provokuese nga ana e tifozëve rumunë, me një rezultat 2-0 ndaj Rumanisë në Bukuresht.
Në minutën e 18-të të lojës, gjyqtari ka ndërprerë duelin në mes të Rumanisë dhe Kosovës, sepse tifozët rumunë kanë shpalosur një banderolë nacionaliste me një mbishkrim që nuk ka të bëjë asgjë me realitetin “Kosova është Serbi”.
Kjo ka bërë që menjëherë futbollistët e Kosovës ta njoftojnë gjyqtarin kryesor, francezin Willy Delajod, i cili edhe e ka ndërprerë ndeshjen.
Futbollistët e Rumanisë kanë shkuar te tifozët e tyre, duke i kërkuar të hiqnin banderolën, por ata nuk i dëgjuan as futbollistët e as policinë.
Gjyqtari ka kërkuar të zhvillohet ndeshja fillimisht, por kanë qenë futbollistët e Kosovës që kanë refuzuar të luajnë me banderola nacionaliste.
Momentin që gjyqtari francez i urdhëroi skuadrat të shkojnë në zhveshtore, Milot Rashica filloi të duartrokasë dhe ta përshëndesë vendimin e gjyqtarit kryesor.
Duke shkuar në zhveshtore, futbollisti Mërgim Vojvoda e bëri shqiponjën afër hyrjes në zhveshtore, si kundërpërgjigje ndaj tifozëve rumunë.
Ndërprerja e ndeshjes zgjati për 45 minuta.
Në minutën e 43-të, Dardanët kanë mbetur me një futbollist më pak në fushë, pasi Vedat Muriqi u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë, dhe me këtë rast u përjashtua nga loja.
Pjesa e parë përfundoi me rezultatin baras 0-0.
Në pjesën e dytë Dardanët u rikthyen në mbrojtje për ta ruajtur rezultatin, dhe në minutën e 59-të vendasit fituan një penallti. Por, portieri i Kosovës, Arijanet Muric, priti penalltinë e kapitenit të vendasve, Christian Stanciu.
Në minutën e 83-të ndeshja u zhbllokua, kur Stanciu me një goditje të fuqishme mposhti Aro Muric për epërsinë e vendasve 1-0.
Kosova kishte dy raste të mira shënimi me Loshajn dhe Muslijën, por goditjet e tyre shkuan jashtë. Krejt në fund të ndeshjes, zëvendësuesi Mihala realizoi edhe golin e dytë për t’i dhënë fitore ekipit rumun me rezultat 2-0.
Dhe gjasat për kualifikim u zbehën, pasi pas gjashtë ndeshjeve Kosova ka katër pikë në pozitën e katërt, derisa Grupin E e udhëheq Zvicra me 14 pikë, dy më shumë se rumunët në pozitën e dytë.
Nota e lojtarëve sipas SofaScore:
Portieri dardan priti penallti në minutën e 60-të derisa mori notë 7,8.
Me notë të mirë te Kosova u vlerësua edhe Florian Loshaj 7,2 dhe Ibrahim Dresevic 7,1.
Nota më e ulët shkoi për Vedat Muriqin 5,4, dhe Leart Paqaradën 5,9.
Te vendasit nota më e lartë shkoi për kapitenin Nicolae Stanciu 7,7.