Të mërkurën është mbajtur seanca e gjykimit për ish-luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj, të cilët janë shpallur fajtorë me nga katër vjet e gjysmë burgim.
Për këtë vendim ka reaguar kryetari i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj duke thënë se dënimi nuk kishte të bënte me atë që u tha në vendimin zyrtar, por me faktin se ata ishin pjesë e UÇK-së.
Përmes një postimi në rrjetin social ‘Facebook‘, Molliqaj ka thënë se është pikërisht kjo, dënimi i vetë UÇK-së që përbën qëllimin kryesor të Speciales.
”Aktgjykimi dënues ndaj udhëheqësve të OVL të UÇK-së, Hysni Gucatit e Nasim Haradinajt, nuk ka asnjë lidhje me drejtësinë, as me të vërtetën. Asnjëra nga këto nuk mund të vijë nga Gjykata Speciale. Kjo Gjykatë është bërë për ta dënuar UÇK-në”, ka shkruar Molliqaj.
Kryetari i PSD-së ka shtuar se, nëse gjykata është krijuar nga parlamenti i Kosovës, atëherë, ajo duhet edhe të shpërbëhet nga institucionet e Kosovës.
”Nëse kjo Gjykatë është e Kosovës, atëherë ajo mundet dhe duhet të shpërbëhet nga institucionet e Kosovës. Nëse nuk është e mundur, duhet ta trajtojmë si invazion institucional”, është shkruar në postimin e Molliqajt.
Gucati e Haradinaj janë shpallur fajtorë në disa pika, por jo edhe për pikën e aktakuzës “hakmarrje”.
Dënimi, nga gjashtë vjet sa kishte kërkuar prokuroria, është dhënë për 4 vjet e gjysmë burgim.
”Të akuzuarit vazhduan të shpërndajnë në shkallë të gjerë informacionin e mbrojtur që përfshinte emrat e qindra dëshmitarëve të mbrojtur. Ata e bënë këtë në mënyrë të përsëritur dhe me entuziazëm”, ka thënë kryetari i trupit gjykues, Charles Smith, në leximin e vendimit.
Dy krerët e OVL-së, do të mbajnë dhe afërsisht dy vjet burg, pasi kanë qenë në paraburgim për dy vjet e gjysmë.