I dërguari i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, e ka komentuar deklaratën e sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, i cili ka përmendur marrëveshjen e vitit 2013 ndërmjet Kosovës dhe NATO-s, rreth dërgimit të Forcave të Sigurisë së Kosovës në pjesën veriore të Kosovës, teksa kërkoi nga presidentja e Kosovës që çdo hap, përfshirë vendosjen e policisë, të koordinohet me NATO-n.
Këtë, Escobar e quan kërkesë të rëndësishme, ndërsa kërkon nga Qeveria e Kosovës komunikim të afërt me NATO-n dhe KFOR-in në terren.
“Kjo është kërkesë, që është vërtet e rëndësishme. KFOR-i ka pjesë të përgjegjësisë për të siguruar një mjedis të sigurt brenda, ashtu siç e ka edhe EULEX-i. Shpresojmë që qeveria e Kosovës do ta konsiderojë bashkësinë ndërkombëtare, dhe në veçanti NATO-n, si partner të rëndësishëm me të cilin duhet të këshillohet dhe koordinohet. Absolutisht që e mendojmë kështu. Dhe do të vazhdojmë të kërkojmë nga qeveria e Kosovës të mbajë komunikim të afërt me NATO-n dhe KFOR-in në terren. Mendoj se është shumë e rëndësishme për të parandaluar ndonjë përllogaritje të gabuar”.
Kështu ka thënë Escobar në një intervistë dhënë Zërit të Amerikës, në prag të takimit të nivelit të lartë në Bruksel, në kuadër të dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë.
Ndryshe, Stoltenberg ka thënë se çdo zbarkim i Forcave Speciale të Kosovës kërkon pajtimin nga KFOR-i.
Sipas tij, ka nevojë për koordinim dhe konsultim të afërt në mes të Kosovës dhe KFOR-it në cilindo lloj të zbarkimit të Forcave, e që, sipas tij, mund të ndikojë në pozitën e KFOR-it dhe sigurinë në Kosovë.
Kështu është shprehur ai teksa është pyetur pasi përmendi zotimet e vitit 2013, në një konferencë të përbashkët për media me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani.
“Nuk është kriter i ri, është baza e misionit për një kohë të gjatë, çdo zbarkim i forcave speciale kërkon pajtimin nga KFOR-i dhe ka nevojë për koordinim dhe konsultim të afërt midis autoriteteve në Prishtinë dhe KFOR-it në çfarëdolloj të zbarkimi të forcave që mund të ndikojë pozitën tonë dhe sigurinë në Kosovë”, u shpreh ai.
Stoltenberg ka thënë se dhuna ndaj pjesëtarëve të misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR në veri të Kosovës, më muaj më parë, ka qenë e papranueshme.