Fabrikat gjermane të birrës kanë paralajmëruar se mund të ketë mungesë të shisheve të birrës, sidomos në verë. Shishet mund të pakësohen në shumë vende për shkak të rritjes së kostove dhe krizës aktuale të çmimeve të energjisë.
“Situata është jashtëzakonisht e tensionuar, disa fabrika birre rrezikojnë të qëndrojnë boshe, së shpejti mund të mbeten pa shishe”, ka thënë shefi ekzekutiv i Federatës Gjermane të Birrarisë, për gazetën gjermane Bild.
Mungesa e shisheve të qelqit do të prekë kryesisht fabrikat e vogla dhe të mesme dhe se një nga arsyet e mungesës është rritja e çmimeve të energjisë, e cila po bën që çmimi i prodhimit të shisheve të qelqit të rritet.
“Kriza aktuale e çmimeve të energjisë paraqet sfida të mëdha për industrinë e qelqit me energji intensive. Kostot e energjisë janë rritur deri në 500 për qind në krahasim me vitin e kaluar”, ka thënë një zëdhënëse e Shoqatës Federale të Industrisë së Qelqit, raporton Bild, transmeton PortaliD.
Përveç kësaj, Holger Eichele, nga Federata Gjermane e Birrëbërësve ka thënë se mungesa e shoferëve të kamionëve po e bënte më të vështirë ruajtjen e zinxhirëve të furnizimit.
Si rezultat, ai ka thënë se kostoja e shisheve të reja nga qelqi ishte pothuajse dyfishuar vitin e kaluar.
Mungesa e shisheve ka mundësi të godasë më së shumti fabrikat e vogla të birrës, sepse kompanitë më të mëdha zakonisht janë të furnizuara.
Eichele, gjithashtu, ka thënë se gjëja më e mirë që mund të bënin gjermanët ishte t’u kthenin shishet e qelqit shitësve me pakicë sa më shpejt që të ishte e mundur, duke i këshilluar konsumatorët që të mos “grumbullonin boshllëqet në bodrum”.
Shishet e qelqit, të cilat janë të zakonshme në Gjermani, shiten me një depozitë të vogël dhe pirësit e birrës pritet t’i sjellin ato në dyqan kur të marrin raundin e tyre të ardhshëm.
Kanaçet, të përdorura diku tjetër në botë, janë shumë më pak të zakonshme dhe shumë fabrika birre përdorin shishe të personalizuara që janë të vështira për t’u zëvendësuar.
Ndërsa, Drejtori i Përgjithshëm i Shoqatës Gjermane të Birrëbërësve, më 5 mars ka deklaruar se rritjet e kostos janë përtej çdo dimensioni, dhe se çmimet e birrës do të rriten deri në 30 për qind, kryesisht për shkak të rritjes së çmimeve të energjisë.
“Nuk kemi përjetuar kurrë diçka të tillë”, ka thënë Eichele, raporton Bild, transmeton PortaliD.
Tani, kufizimet nga Covid-19 janë pothuajse të lehtësuara në të gjithë vendin, që do të thotë se njerëzit janë duke u shoqëruar përsëri me njëri- tjetrin. Festivalet e mëdha, duke përfshirë Oktoberfest, janë rikthyer këtë vit. Vitin 2019, të ftuarit kanë konsumuar 7.3 milionë birra vetëm gjatë festivalit të zhurmshëm.