Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur në takim komandantin në ardhje të KFOR-it, gjeneralmajor Özkan Ulutaş, shoqëruar nga komandanti aktual, gjeneralmajor Angelo Michele Ristuccia.
Në këtë takim e para e vendit ka theksuar nevojën për rritjen dhe thellimin e bashkëpunimit në mes të KFOR-it dhe institucioneve të Kosovës, duke përmendur sfidat e sigurisë në veri të vendit.
“Gjatë takimit Presidentja Osmani ka theksuar nevojën për rritjen dhe thellimin e bashkëpunimit në mes të KFOR-it dhe institucioneve të Republikës së Kosovës, në funksion të menaxhimit efektiv të sfidave të mjedisit të sigurisë rajonale dhe më gjerë. Ajo e njoftoi komandantin në ardhje të KFOR-it për këto sfida të sigurisë, të cilat në veri të vendit shkaktohen për shkak të strukturave ilegale të dirigjuara nga Serbia, të cilat poashtu kanë udhëhequr sulmet ndaj pjesëtarëve të KFOR-it më 29 maj si dhe sulmet e njëpasnjëshme ndaj policisë së Kosovës dhe gazetarëve”, thuhet në njoftimin e presidencës.
Tutje, Osmani ka shprehur besimin e plotë në bashkëpunimin e ngushtë me gjeneral Ulutaş gjatë udhëheqjes së tij të KFOR-it në përmbushjen e synimeve të përbashkëta për paqe dhe siguri në Kosovë dhe rajon.