Të enjten e 14 shtatorit, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, takohen në Bruksel, në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve.
Bashkimi Evropian, si ndërmjetësues i procesit, ka bërë të ditur se takimet nisin nga ora 09:00.
Fillimisht, shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, dhe i dërguari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, presin njërin lider, pastaj tjetrin.
Takimi trepalësh do të mbahet më vonë gjatë ditës dhe temë diskutimi do të ketë zbatimin e Marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve.
Ndryshe, dje në një përgjigje për Portalin Dukagjini, njohësit e çështjeve politike i kanë shprehur pritshmëritë e tyre për këtë takim.
Ata vlerësojnë se dialogu është në vdekje klinike dhe se ky takim nuk do të sjellë ndonjë rezultat konkret, teksa theksojnë se tema kyçe e këtij takimi pritet të jetë Marrëveshja e Ohrit, deeskalimi dhe zgjedhjet në veri të Kosovës.
Ky takim në mes të Kurtit dhe Vuçiqit është i pari prej kur janë rritur tensionet në veri të Kosovës.
“Dialogu në vdekje klinike”, pritshmëritë nga takimi Kurti – Vuçiq