Në Bruksel tashmë ka nisur takimi i përbashkët midis kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, dhe ndërmjetësuesve të Bashkimit Evropian, Josep Borrell dhe Miroslav Lajçak.
Temë diskutimi ky takim do të ketë zbatimin e Marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve.
Fillimisht ka pasur takime dypalëshe midis Përfaqësuesit të Lartë të BE-së, Josep Borrell dhe liderëve. Takimi midis Kurtit dhe Borrellit është mbajtur nga ora 10:00 ndërkaq në 09:00 shefi i diplomacisë evropiane është takuar me Vuçiqin.
Takimi vjen në kohën e tensioneve të larta në veri të Kosovës. Situata atje është acaruar qysh nga fundi i majit.
Atëkohë, grupe serbësh kishin nisur protestat për të kundërshtuar vendosjen e kryetarëve shqiptarë – nën përcjelljen e policisë – në zyrat e komunave në veri.
Këta kryetarë kanë dalë nga zgjedhjet e jashtëzakonshme të prillit që janë mbajtur në Mitrovicë të Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq, por që janë bojkotuar nga popullata lokale serbe.