Teksa po zhvillohet takimi në mes të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti e presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, në Bruksel, kryediplomati evropian, Josep Borrell, ka thënë se tashmë është koha për zbatimin e Marrëveshjes Bazë për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë – Serbi, dhe se sot do të kuptohet se a janë palët të gatshme për marrjen e përgjegjësive.
“Jam duke pritur presidentin e Kosovës, Aleksandër Vuçiq dhe kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti për një takim të nivelit të lartë të dialogut në Bruksel. Është koha për të filluar zbatimin serioz të Marrëveshjes në rrugën e normalizimit. Sot do të shohim nëse janë gati të marrin përgjegjësi”, ka shkruar Borrell.
I am hosting President @predsednikrs Vučić and Prime Minister @albinkurti for a High-Level Meeting of the Dialogue in Brussels.
It is time to start implementing the Agreement on the path to Normalisation in earnest. Today, we will see if they are ready to take responsibility. pic.twitter.com/q8ws2Pqtye
— Josep Borrell Fontelles (@JosepBorrellF) September 14, 2023
Ndryshe, në Bruksel tashmë ka nisur takimi i përbashkët midis kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, dhe ndërmjetësuesve të Bashkimit Evropian, Josep Borrell dhe Miroslav Lajçak.
Fillimisht ka pasur takime dypalëshe midis përfaqësuesit të lartë të BE-së, Josep Borrell dhe liderëve. Takimi midis Kurtit dhe Borrellit është mbajtur nga ora 10:00, ndërkaq në 09:00 shefi i diplomacisë evropiane është takuar me Vuçiqin.
Takimi vjen në kohën e tensioneve të larta në veri të Kosovës. Situata atje është acaruar qysh nga fundi i majit.
Atëkohë, grupe serbësh kishin nisur protestat për të kundërshtuar vendosjen e kryetarëve shqiptarë – nën përcjelljen e policisë – në zyrat e komunave në veri.
Këta kryetarë kanë dalë nga zgjedhjet e jashtëzakonshme të prillit që janë mbajtur në Mitrovicë të Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq, por që janë bojkotuar nga popullata lokale serbe.