Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Driton Selmanaj, në seancën e së enjtes ka hedhur kritika ndaj kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, për mungesë transparence sa i përket informimit për dialogun Kosovë – Serbi.
Ai u ka drejtuar një pyetje deputetëve nëse janë të informuar për agjendën e këtij takimi.
“Sot ndodh një takim në Bruksel më thoni a e dini ju agjendën se për çka takohen. E kujtoj se ky Kuvend ka miratuar tri rezoluta që e obligojnë Qeverinë që të raportojë në Kuvend para e pas çdo takimi. Kjo Qeveri e ka shndërruar Kuvendin në spektator. Ky takim a po bëhet me koordinim a pa koordinim”, ka thënë Selmanaj.
Përveç tij, edhe deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, ka listuar disa lajme “të këqija”, sipas tij, që janë prodhuar gjatë kësaj qeverisjeje.
Sipas Hotit, sanksionet nga BE-ja për Kosovën janë kthyer në normalitet.
“Në fillim të sesionit, e shoh të nevojshme të listoj disa lajme të këqija që janë prodhuar gjatë mandatit të Qeverisë. Trazirat në veri – ne mund të pajtohemi që nuk kanë qenë të iniciuara nga Kosova, por mënyra e menaxhimit atje ka degraduar. Përleshja në Kuvend. Tendenca e pushtetit për të mbyllur mediat. Sanksionet nga BE-ja i kemi kthyer në normalitet, jemi vendi i parë evropian prej ‘99-s që Bashkimi Evropian vendos sanksione”, ka thënë Hoti.
Sipas tij, “asnjëherë në historinë e shkurtë të Kosovës nuk ka pasur kaq shumë ligje antikushtetuese”.
“Aferat korruptive me Martin Berishaj ambasadorin e keni bërë normale, madje e mbajmë ende në pozitë. Ndërhyrjet në drejtësi, dy herë tendenca për të marrë kompetenca në Këshillin Prokurorial të Kosovës. Bllokimi i buxhetit të komunave, edhe me të hyrat vetanake edhe me tatimin në pronë”, ka deklaruar ai.