Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden po vazhdon vizitën e tij në shtetet e Evropës Lindore në shenjë mbështetjeje për refugjatët që po largohen nga Ukraina, për shkak të luftës që po ndodh nga agresioni rus.
Bideni ka arritur të premten në Poloni, ndërkohë gjatë të shtunës së 26 marsit, do të zhvillojë një takim bilateral me presidentin polak, Andrzej Duda. Gjatë takimit, pritet që të dy presidentët të diskutojnë se si SHBA-ja dhe aleatët e saj po i përgjigjen krizës me refugjatë, si rezultat i luftës ruse në Ukrainë.
Vizita shumëditore e Bidenit në Evropë ka filluar në Bruksel, në të cilën ai bisedoi me aleatët kryesorë të SHBA-së për përgjigjen globale ndaj luftës. Një ndër arsyet e kësaj vizite, vjen pasi Polonia në disa fronte, i ka kërkuar SHBA-së të bëjë më shumë përpjekje për të ndihmuar Ukrainën dhe shtetet fqinje të saj.
Nërkohë, gjatë samiteve të parakohshme në Bruksel, Bideni njoftoi për sanksione të reja kundër anëtarëve të parlamentit rus, dhe po ashtu, zbuloi qëllimin e SHBA-së për të pranuar 100,000 refugjatë që po largohen nga Ukraina. Ai u konsultua me liderët se si do të përgjigjet bota, nëse Rusia do të përdorë armë kimike, biologjike ose bërthamore gjatë luftës.
Gjithashtu, Bideni njoftoi për një nismë të re që synon ta privojë presidentin rus, Vladimir Putin, nga fitimet evropiane të energjisë, në të cilën shton se po përdoren për të nxitur luftën e Rusisë ndaj Ukrainës.
Ai u takua edhe me trupat amerikane që po mbështesin krahun lindor të NATO-s. Përderisa po fliste me ta, u tha se ata janë një grup i mrekullueshëm burrash dhe se i falënderon për shërbimin e tyre.
‘’Edhe kjo nuk është diçka e re për mua. Djali im ka kaluar një vit në Irak, dhe ka shërbyer gjashtë muaj në Kosovë. Ai ka fituar Yllin e Bronztë, medaljen e shërbimit dhe çmime të tjera. Gjëja më kryesore që bëri ndonjëherë ishte veshja e asaj uniforme’’, ka shtuar ndër të tjerash Bideni.
Ndryshe, Beau Bideni është djali i ndjerë i presidentit të SHBA-ve, Joe Biden, i cili kishte ndërruar jetë më 6 janar të vitit 2015 nga sëmundja e kancerit. Ai ka punuar në Kosovë, pas luftës, duke ndihmuar në trajnimin e prokurorëve dhe gjykatësve vendas për Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë(OSCE).
Pas takimit me presidentin e Polonisë, Bideni do të mbajë gjithashtu një fjalim dhe udhëtimi do të përfundojë në një vend në kufi me Ukrainën, në të cilin çështjet e sigurisë dhe kriza humanitare në zhvillim do të jenë në qendër.