Tunizia ia ka ndaluar hyrjen një delegacioni të Parlamentit Evropian, pasi ligjvënësit e Bashkimit Evropian e kanë kritikuar një marrëveshje të nënshkruar nga ky vend me Brukselin për ta ndalur valën e migrimit, kanë thënë zyrtarët të enjten.
Ligjvënësit nga Komiteti parlamentar për Punë të Jashtme kanë planifikuar që të nisen në këtë shtet të Afrikës Veriore në një mision faktmbledhës.
Mirëpo, në një letër që e ka parë agjencia e lajmeve AFP, Ministria e Jashtme e Tunizisë ka thënë se ligjvënësve nuk do t’u lejohet hyrja, për shkak të “dilemave të shumta” për vizitën.
“Ne e dënojmë vendimin e autoriteteve tuniziane për t’ia refuzuar hyrjen delegacionit”, ka thënë ky delegacion me pesë anëtarë, përmes një deklarate.
“Kjo sjellje është e pashembullt në Tunizi, prej Revolucionit demokratik të vitit 2011”.
Për këtë incident raportohet pas nënshkrimit të një memorandumi mirëkuptimi në mes të BE-së dhe Tunizisë në korrik, me qëllim të kufizimit të migrimit të paligjshëm përmes Mesdheut.
Sipas marrëveshjes – të shtyrë përpara nga Italia – Brukseli është zotuar se do t’i ndajë qindra miliona euro si ndihmë financiare për Qeverinë në Tunizi.
Në një debat të zhvilluar këtë javë, ligjvënësit e BE-së e kanë kritikuar marrëveshjen me një qeveri autoritare, e cila është akuzuar për abuzim me migrantë në Afrikën sub-Sahariane.
Komisioni Evropian, trupi ekzekutiv i BE-së, e ka mbrojtur marrëveshjen, duke thënë se e ka rikthyer bashkëpunimin me një partner kyç.
Tunizia është vend prej nga nisen mijëra migrantë me synim që të arrijnë në vendet e bllokut evropian./REL