Të enjten e 19 majit, në Kuvendin e Kosovës do të zhvillohen dy seanca plenare, njëra nga të cilat është vazhdim i seancave të mbajtura më 14 dhe 19 prill si dhe 11 maj.
Seanca e parë pritet të nisë në orën 10:00, ndërsa tjetra rreth orës 14:30, ku në rend dite te seanca e dytë do të jetë debati parlamentar në lidhje me situatën e sigurisë në vend.
Ndërkaq, gjatë seancës së parë që do të zhvillohet paraditen e së enjtes, përveç deklarimeve jashtë rendit të ditës dhe pyetjeve parlamentare, në rend ditë do të jetë edhe shqyrtimi i dytë i Projektligjit për turizmin, i Projektligjit për Policinë Ushtarake në Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe shqyrtimi i Projektligjit për Komisionerin Parlamentar për FSK-në.
Ndryshe, shefja e Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes (VV), Mimoza Kusari-Lila, pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit të hënën, kishte deklaruar se është marrë vendim që seanca e re e Kuvendit të mbahet më 19 maj nga ora 10:00.
“Pas përmbylljes së pikave të seancës së re, do të fillohet me vazhdimin e seancës së papërfunduar, konkretisht, me debatin parlamentar për siguri të kërkuar javë më parë nga AAK, por që me dakordim në seancat e kaluara plenare është shtyrë për një ditë tjetër”, ka thënë Kusari-Lila.
Kusari-Lila, gjithashtu, ka thënë se në mbledhjen e sotme kanë diskutuar edhe për konstituimin dhe fillimin e punës së ekipit për reformën zgjedhore.
“Jemi dakorduar gjithashtu që në mbledhjen e ardhshme të kryesisë, t’i kemi të gatshëm emrat e anëtarëve që do të marrin pjesë në ekipin për reformën zgjedhore”, ka shtuar ajo.
Kusari-Lila bëri të ditur se formula e përbërjes së këtij ekipi është e ngjashëm me atë të Komisioneve Parlamentare, ku Lëvizja Vetëvendosje do t’i ketë pesë anëtarë, Partia Demokratike e Kosovës (PDK), dy anëtarë, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) një anëtar, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) një anëtar, Grupi Multietnik një anëtar dhe Lista Serbe një anëtar.