Departamenti Amerikan i Shtetit (DASH), ka shprehur zhgënjim për mungesën e përparimit në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve.
Një zëdhënës i Departamentit Amerikan të Shtetit për Radion Evropa e Lirë ka theksuar rëndësinë e respektimit të obligimeve të dy vendeve sipas Marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve që u arrit më herët këtë vit.
Në deklaratë, ai gjithashtu ka theksuar se është koha që të shihet një përparim konkret në implementimin e marrëveshjeve të mëparshme, duke përfshirë Marrëveshjen e Ohrit dhe themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
“Presim që të dyja vendet t’i marrin seriozisht obligimet e tyre me Marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve, që kanë arritur më herët këtë vit. Koha po kalon. Ne duam të shohim përparim në obligimet ekzistuese dhe të mëparshme, të ndërmarra në dialog dhe me Marrëveshjen e Ohrit, duke përfshirë këtu themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe”, ka thënë një zëdhënës i Departamentit amerikan të Shtetit për REL-in.
Po ashtu, nga Departamenti amerikan i Shtetit thuhet se ata do të vazhdojnë konsultimet me partnerët evropianë për hapat e ardhshëm dhe që dialogu i lehtësuar nga BE-ja mbetet rruga më e mirë përpara për Kosovën dhe Serbinë.
“Ne do të konsultohemi brenda dhe me partnerët tanë evropianë për hapat e ardhshëm”, thuhet nga ana e tij.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, u takuan të enjten në Bruksel me ndërmjetësimin e shefit të politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, dhe të dërguarit të BE-së për dialogun, Mirosllav Lajçak.
Takimi kishte për qëllim zbatimin e Marrëveshjes Bazë për normalizimin e marrëdhënieve, por nuk solli asnjë rezultat të qartë, sipas Borrell.
Sipas Borrell, shkak i mungesës së progresit ishte që kryeministri Kurti nuk e pranoi propozimin e BE-së për zbatimin e njëkohshëm të obligimeve që dalin nga kjo marrëveshje, ndërsa presidenti Vuçiq e pranoi atë.
Borrell bëri të ditur se Kurti këmbënguli në kërkesën për njohjen de-facto të Kosovës nga Serbia si hap të parë, ndërsa Vuçiq insistoi për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.
Kurti “nuk ka qenë i gatshëm që të ecë përpara me fillimin e një procesi të besueshëm për themelimin e Asociacionit”, ka deklaruar Borrell.
LEXO EDHE: Kurti për emisarët e BE-së: Pranuan kushtëzimin e Serbisë për Asociacionin
Në konferencat e ndara për media, Kurti dhe Vuçiq akuzuan njëri-tjetrin për mungesën e progresit.
Kurti ka shprehur shqetësimin se Serbia po kushtëzonte procesin me kërkesën për Asociacionin, ndërsa Vuçiq ka theksuar se Kurti po e shmang formimin e Asociacionit, duke e cilësuar këtë si çështje themelore.