Gjithçka nga takimi në Bruksel

Takimi i 14 shtatorit në Bruksel në kuadër të dialogut Kosovë - Serbi përfundoi pa ndonjë pajtim në mes të palëve

FOTO:BE

Të enjten e 14 shtatorit, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, nën ndërmjetësimin e diplomatëve evropianë u takuan për një rund të ri të bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve.

Por, ky takim ndonëse zgjati shumë, përfundoi pa ndonjë pajtim mes palëve.

Nga Bashkimi Evropian thanë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nuk ka qenë i gatshëm të ecë përpara, ndryshe nga presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, i cili “e ka pranuar propozimin e tyre” për zbatimin e Marrëveshjes bazë për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi.

Shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, i cili bashkë me të dërguarin e BE-së për dialog, Miroslav Lajçak, ndërmjetësuan takimin, tha se Kurti ka këmbëngulur që të formalizohet, fillimisht, njohja de facto e Kosovës nga Serbia.

Kurti dhe Vuçiq, në konferenca të ndara për media, akuzuan njëri-tjetrin për mungesën e rezultateve nga takimi.

Kurti, po ashtu, tha se “kushtëzimi i Serbisë” për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe “është shndërruar në qëndrim të emisarëve të BE-së”.

Borrell: Kurti insistoi të formalizohet njohja de-facto

Borrell, duke folur për gazetarët, tha se u ka ofruar palëve propozimin e BE-së që Marrëveshja bazë të zbatohet nga të dyja ato paralelisht.

Sipas tij, Kurti kërkoi zbatimin e aspekteve politike fillimisht, ndërsa Beogradi themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe në Kosovë.

Kurti “nuk ka qenë i gatshëm që të ecë përpara me fillimin e një procesi të besueshëm për themelimin e Asociacionit. Në vend të kësaj, ai ka insistuar që të formalizohet njohja de facto [e Kosovës] si hap i parë”, tha Borrell.

“Jemi përpjekur shumë, por për fat të keq, sot nuk ka qenë e mundur të tejkalohen dallimet”, tha Borrell, duke shtuar se Vuçiq e ka pranuar propozimin e BE-së.

“Ky ka qenë kompromisi më i mirë që kemi mundur të ofrojmë”, tha Borrell dhe vuri në dukje se ai mbështetet edhe nga partnerët amerikanë.

Kryediplomati evropian tha, po ashtu, se situata në veri të Kosovës – zonë e banuar me shumicë serbe – nuk është qetësuar ende dhe kërkoi nga të dyja palët që të ndërmarrin hapa për shtensionimin e saj.

“Nuk mund të qëndrojmë ulur dhe të presim krizën e radhës”.

“Disa hapa janë ndërmarrë nga Kosova dhe ne i mirëpresim. Disa, por ajo nuk e ka përmbushur kërkesën e bërë për shtensionim të plotë”, tha Borrell.

Borrell tha se kjo është koha kur BE-ja po përpiqet të zgjerohet, por theksoi se pa normalizim të marrëdhënieve, “nuk do të ketë të ardhme evropiane as për Kosovën, as për Serbinë”.

Kurti: Nuk mund të bëj kompromis me kushtëzimin e vjetër

Duke iu drejtuar gazetarëve pas takimit, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se nuk mund të bënte kompromis me atë që ai e cilësoi si “kushtëzim të vjetër të Serbisë” për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.

“Nuk ka propozim Beogradi. Ka dokument kushtëzues. Nuk mund të ketë kompromis mes propozimit dhe kushtëzimit”, tha Kurti.

Ai tha se ka qenë i vetmi në takim që ka propozuar “një udhërrëfyes të sekuencuar” për zbatimin e Marrëveshjes bazë, të arritur në Bruksel më 27 shkurt dhe të aneksit të zbatimit të saj, të dakorduar në Ohër, më 18 mars.

“As nga pala serbe dhe as nga pala e Brukselit” nuk ka pasur kurrfarë dokumentesh si propozime, tha kryeministri i Kosovës.

Sipas tij, kushtëzimi i Serbisë është kthyer në qëndrim të emisarëve të BE-së.

“Është për të ardhur keq që emisari evropian, Lajçak e ka pranuar një kushtëzim të tillë”, tha Kurti.

Ai tha se Lajçak e ka bërë këtë “në cenim të funksionit të tij si lehtësues dhe ndërmjetësues”.

Shtoi se është gjithmonë i gatshëm të diskutojë për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe, por se draft-statuti i tij “nuk mund të negociohet nëse, fillimisht, nuk biem dakord për udhërrëfyesin për zbatimin e Marrëveshjes”.

“Shpreh gatishmërinë time të plotë që secilin nen të Marrëveshjes bazike, secilën fjali të preambulës dhe secilën pikë të aneksit të Ohrit, jam i interesuar ta zbatojmë një orë e më parë – në plotni, pa asnjë kusht”, tha kryeministri i Kosovës.

Për zgjedhjet e parakohshme në veri të Kosovës – si mundësi për shtensionimin e situatës atje – Kurti tha se është i interesuar dhe se ato duhet të mbahen duke e respektuar Udhëzimin Administrativ, që ka nxjerrë Qeveria.

“Nuk mund ta detyrosh askënd” që të japë dorëheqje, tha Kurti, duke iu referuar kryetarëve shqiptarë të komunave me shumicë serbe: Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq.

Vuçiq: Kurti i shmanget formimit të Asociacionit

Vuçiq tha se bisedimet me Kurtin përfunduan pa sukses, pasi Kurti, sipas tij, “e refuzoi propozimin evropian”.

“Ne të gjithë i kemi propozimet tona – shqiptarët i kanë të tyret, ne i kemi tonat. Në fund, ne si Serbi e kemi pranuar propozimin e kompromisit të BE-së. Kurti nuk ka dashur ta pranojë. Takimi ka përfunduar”, u tha Vuçiq gazetarëve.

I pyetur nga ta se cili ishte propozimi i BE-së, ai tha se para së gjithash, flitet për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe – “të shohim nëse kemi proces të besueshëm ose jo”.

“Nëse do të konstatonim se procesi është i besueshëm dhe se po shkojmë drejt formimit të Asociacionit të Komunave [me shumicë] serbe, ne paralelisht do të nisnim me obligimet tona. Por, pala tjetër nuk ka pranuar”, tha Vuçiq.

“Është e qartë se Kurti, thjesht, i shmanget formimit të Asociacionit… Ky është thelbi i gjithçkaje”, tha ai.

Marrë parasysh se nuk ka marrëveshje, një gjë e tillë “çon vetëm në probleme më të mëdha”, tha presidenti i Serbisë, por shtoi se bisedimet duhet të vazhdojnë.

Në lidhje me zgjedhjet në veri, ai tha se nëse kryetarët shqiptarë të komunave atje japin dorëheqje, ai “do të japë gjithçka nga vetja” që komuniteti serb të marrë pjesë në procesin e ri zgjedhor, por vuri në dukje se nuk mund të premtojë në emër të tij.

“Para së gjithash, jam i shqetësuar. Nën dy, nuk jam i pakënaqur – së paku, jam i kënaqur që Serbia ka treguar konstruktivitetin e saj, përgjegjësinë dhe vullnetin për t’iu qasur zgjidhjeve të kompromisit… Dhe, nën tre, jam edhe më i shqetësuar për pozitën e popullit serb në Kosovë, pas gjithçkaje që pashë dhe dëgjova sot”, tha Vuçiq.

Ai nuk specifikoi më shumë, por tha se, sigurisht, pret reagimin e BE-së.

Departamenti Amerikan i Shtetit (DASH) ka shprehur zhgënjim për mungesën e përparimit në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve.

Një zëdhënës i Departamentit Amerikan të Shtetit për Radion Evropa e Lirë ka theksuar rëndësinë e respektimit të obligimeve të dy vendeve sipas Marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve që u arrit më herët këtë vit.

Në deklaratë, ai gjithashtu ka theksuar se është koha që të shihet një përparim konkret në implementimin e marrëveshjeve të mëparshme, duke përfshirë Marrëveshjen e Ohrit dhe themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.

“Presim që të dyja vendet t’i marrin seriozisht obligimet e tyre me Marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve, që kanë arritur më herët këtë vit. Koha po kalon. Ne duam të shohim përparim në obligimet ekzistuese dhe të mëparshme, të ndërmarra në dialog dhe me Marrëveshjen e Ohrit, duke përfshirë këtu themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe”, ka thënë një zëdhënës i Departamentit amerikan të Shtetit për REL-in.

Po ashtu, nga Departamenti amerikan i Shtetit thuhet se ata do të vazhdojnë konsultimet me partnerët evropianë për hapat e ardhshëm dhe që dialogu i lehtësuar nga BE-ja mbetet rruga më e mirë përpara për Kosovën dhe Serbinë.

Ky takim u mbajt pas tensioneve të larta në veri të Kosovës. Situata atje është acaruar qysh nga fundi i majit.

Atëkohë, grupe serbësh kishin nisur protestat për të kundërshtuar vendosjen e kryetarëve shqiptarë – nën përcjelljen e policisë – në zyrat e komunave në veri.

Këta kryetarë kanë dalë nga zgjedhjet e jashtëzakonshme të prillit që janë mbajtur në Mitrovicë të Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq, por që janë bojkotuar nga popullata lokale serbe.

Shija e redaktorit

Gjeneral Jashari takohet me Shefen e Mbrojtjes së Forcave të...

Gjatë vizitës zyrtare në Kanada, Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Gjenerallejtënant Bashkim Jashari, zhvilloi një takim bilateral me Shefen e Mbrojtjes së...

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Të fundit nga rubrika