Kuvendi Komunal i Zveçanit, të premten, është bërë e ditur se ka votuar pro anëtarësimit të komunës në Asociacionin e Komunave të Kosovës.
Kjo është bërë një ditë pasi vendime të tilla kanë miratuar edhe Kuvendi Komunal i Leposaviqit dhe ai i Zubin-Potokut.
Për vendimin që ka marrë komuna e Zveçanit ka njoftuar Lëvizja Vetëvendosje në rrjetin social Facebook.
“Me iniciativën e asamblistëve të Lëvizjes VETËVENDOSJE, ashtu si Zubin Potoku dje, edhe Kuvendi Komunal i Zveçanit sot votoi pro bashkimit të kësaj komune në Asociacionin e Komunave të Kosovës”, thuhet në njoftimin e LVV-së.
Sipas procedurave, vendimet e kuvendeve komunale do të dërgohen në Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal për vlerësim të ligjshmërisë dhe pastaj pritet të dërgohet tek Asociacioni i Komunave të Kosovës për shqyrtim.
Ndryshe, më 22 gusht, edhe Mitrovica e Veriut është anëtarësuar në Asociacionin e Komunave të Kosovës.