Sot në Kompleksin e Varrezave të Martirëve në fshatin Krushë te Vogel, në ora 12:00 rivarrosen mbetjet mortore të gjashtë personave të zhdukur, gjatë luftës në Kosovë 1998-1999.
Mbetjet mortore të të zhdukurve do të rivarrosen me kërkesë të familjarëve dhe me anë të përkrahjes institucionale.
Emrat e të zhdukurve që do të rivarrosen sot janë:
Hysen (Maxhun) Zylfiu (1935), i zhdukur më datën 26.03.1999, Skifter (Osman) Batusha (1981), i zhdukur më datën 26.03.1999, Ahmet (Manush) Berisha (1938), i zhdukur më datën 26.03.1999, Nue (Shyt) Prenkaj (1960), i zhdukur më datën 26.03.1999, Nuredin (Qazim) Shehu (1927), i zhdukur më datën 26.03.1999, Sami (Aziz) Shehu (1974), i zhdukur më datën 26.03.1999.
Banorët e Krushës së Vogel i kanë dhënë dëshmitë e tyre për masakrën te misioni i OKB-së në Kosovë, UNMIK, në vitin 2003. Sipas prokurorisë së EULEX-it, masakra në Krushë të Vogël dyshohet se është një nga “masakrat më të mëdha që ndodhën gjatë konfliktit në vitin 1999 në Kosovë.”
Familjarët e personave të identifikuar janë pritur në takim nga përfaqësuesit e Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, zv.Drejtori i përgjithshëm dhe zyrtarët e Institutit të Mjekësisë Ligjore, përfaqësues të Ministrisë së Drejtësisë, përfaqësues të EULEX- it dhe Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq.
Përfaqësuesit e institucioneve falënderuan familjarët e personave të zhdukur, që kanë ofruar bashkëpunim në këtë proces të ndjeshëm.
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca dhe Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti do të marrin pjesë në këtë ceremoni.
Më 17.06.2020 është mbajtur seanca e fundit për gjykimin e Darko Tasiq, i akuzuar për krime lufte në Krushë të Vogel. Prokurorja Drita Hajdari kërkoi dënimin e të akuzuarit, por avokati i të akuzuarit Ljubomir Pantoviq dyshonte për dëshmitë e dëshmitarëve edhe para fillimit të seancës gjyqësore.