Qeveria e Republikës së Kosovës ka zhvilluar mbledhjen e 160-të, në mënyrë elektronike, ku u miratuan gjithsej tri nisma dhe dy vendime.
Në këtë mbledhje është miratuar nisma për lidhjen e Marrëveshjes së Kredisë ndërmjet Republikës së Kosovës, e përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) Sh. A. dhe KfW, Frankfurt am Main për Projektin “ Programi i Energjisë Solare (Solar4KosovoI) – Fotovoltaike.
Në këtë mbledhje të mbajtur në mënyrë elektronike është miratuar nisma për lidhjen e Marrëveshjes së Grantit ndërmjet Republikës së Kosovës, e përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) Sh. A. dhe KfW, Frankfurt am Main për Projektin “ Solar4Kosovo – Centrali Fotovoltaik”.
Është miratuar dhe nisma për lidhjen e Marrëveshjes për Ndihmë të Ndërsjellë Juridike në Çështjet Penale ndërmjet Qeverisë e Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Mbretërisë së Belgjikës.
“Vendimin për të kërkuar nga Presidentja e Republikës së Kosovës, dhënien e Autorizimit për Ministrin e Financave, Punës dhe Transfereve për nënshkrimin e Marrëveshjes së Bashkëfinancimit ndërmjet Republikës së Kosovës e përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve dhe Qeverisë së Konfederatës Zvicerane, e përfaqësuar nga Sekretariati Shtetëror për Çështje Ekonomike për Projektin “Qëndrueshmëria Klimatike në Sektorin e Ujit në Kosovë”, është vendimi që u miratua në këtë mbledhje, njofton Kryeministria.
Në këtë mbledhje u miratua edhe vendimi përfundimtar për shpronësim për interes publik të pronave të paluajtshme të cilat preken nga realizimi i Projektit: Renovimi dhe Rikonfigurimi i Stadiumit Olimpik “Adem Jashari” në Mitrovicë.